Ne rrjet

Italia shqyrton tërheqjen nga nisma kineze ‘Një Brez, Një Rrugë’

Italia thotë se deri në fund të vitit do të vendosë nëse do të largohet nga nisma kineze “Një brez, Një rrugë”, programi global i tregtisë dhe infrastrukturës së Pekinit, me një vlerë prej disa miliarda dollarësh. Qeveria italiane ka qenë e zhgënjyer nga mungesa e përfitimeve ekonomike, por ka druhet se largimi nga nisma do ta ofendojë Pekinin.

Italia është i vetmi anëtar i G-7, shtatë vendet më të industrializuara të botës, që është pjesë e nismës kineze “Një Brez, Një Rrugë”. Aktualisht, Roma po mendon të largohet vetëm katër vjet nga anëtarësimi i saj.

Kryeministrja Giorgia Meloni foli për këtë çështje pas takimit me delegacionin kinez në takimin e G20-ës të javës së kaluar në Indi.

“Ka vende evropiane që vitet e fundit nuk kanë qenë pjesë e nismës kineze, por kanë qenë në gjendje të krijojnë marrëdhënie më të favorshme me Kinën sesa ne”, thotë Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë.

Zonja Meloni shtoi se vendimi për tu tërhequr apo jo do të merret gjatë këtij viti. Analistët thonë se Italia nuk ka siguruar përfitimet ekonomike që i priste kur u bë pjesë e iniciativës kineze.

“Bilanci tregtar e favorizon më shumë Kinën dhe eksportet italiane në Kinë nuk u rritën”, thotë profesori Filippo Boni te “Open University” të Britanisë.

Italia po shqyrton anëtarësimin e saj në nismën kineze edhe për arsye gjeopolitike.

“Lidhur me këtë çështje është krijuar edhe një njollë diplomatike, pjesërisht sepse i gjithë Perëndimi po shqyrton marrëdhëniet me Kinën”, thotë Luigi Scazzieri nga organizata “Qendra për Reformën Evropiane”, me seli në Londër.

Aleatët perëndimorë të Italisë po bëjnë përpjekje të zvogëlojnë varësinë nga disa importe kineze dhe të kufizojnë shitjen Kinës të teknologjive si gjysmëpërçuesit.

Italia ka bllokuar firmat kineze që të blejnë shumë prej kompanive të saj më të mëdha, përfshirë prodhuesin e gomave “Pirelli".

“Është një sinjal i qartë që Roma po u dërgon partnerëve të saj në Bashkimin Evropian, dhe më e rëndësishmja Uashingtonit, për pozicionin e Italisë në tabelën ndërkombëtare të shahut”, thotë analisti Fillipo Boni.

Gjatë kësaj jave Kina këmbënguli që nisma “Një Brez, Një Rrugë” sjell përfitime për anëtarët e saj.

“Nisma Një Brez, Një Rrugë ka tërhequr më shumë se 150 vende dhe një gamë të gjerë partnerësh në fusha të ndryshme gjatë 10 viteve të fundit dhe ka sjellë përfitime të prekshme për njerëzit e të gjitha vendeve”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze.

Italia thotë se vazhdon të ketë interes të bëjë tregti me Pekinin, por jo si pjesë e nismës kineze.

“Frika se Pekini do të reagojë në mënyrë negative ka qenë pikërisht arsyeja pse zonja Meloni ka qenë mjaft e kujdesshme se si të nxjerrë Italinë nga nisma kineze”, thotë Luigi Scazzieri nga organizata “Qendra për Reformën Evropiane”.

Ndërsa nisma “Një Brez, Një Rrugë” shënon 10-vjetorin e saj, Pekini e ka zhvendosur vëmendjen në ndërtimin e infrastrukturave të energjisë së rinovueshme, duke investuar miliarda dollarë në mbarë botën. Ekspertët thonë se do të ishte e vështirë për Evropën që ta përjashtonte Pekinin në përpjekjet për uljen e ndotjeve nga dora e njeriut pasi Kina është një lojtar dominues në zinxhirin e furnizimit me energji të pastër. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë