Gazeta Si – Fillon gara për organizimin e Europianit 2032. Federata Italiane e Futbollit ka dërguar sot në UEFA dokumentacionin për kandidaturën e saj, duke sfiduar Turqinë. Vendimi përfundimtar merret më 10 tetor 2023 nga Ekzekutivi i UEFA-s.
“Dokumentacioni i kandidaturës së Italisë për organizimin e Euro 2032 është frymëzuar nga një ‘Rilindje e re’, – ka deklaruar presidenti i FIGC, Gabriele Gravina. – Është realizuar nëpërmjet lidhjesh të vazhdueshme me territoret.

Nga një anë duke ekzaltuar bukuritë historike dhe artistike, në anën tjetër duke respektuar impaktin dhe qëndrueshmërinë. Ka qenë një punë e madhe, ku futbolli është bërë sërish një instrument bashkimi”.
Italia ka përzgjedhur edhe 10 qytetet që mund të presin ndeshjet. Ato janë Roma, Milano, Torino, Napoli, Xhenova, Bari, Firence, Bolonja, Kaljari dhe Verona. Mungon Palermo, që gjithsesi bën pjesë në dokumentacion si zgjidhje që mund të merret në konsideratë, në rast se do të ketë problem me ndonjë nga selitë, apo si zgjerim i numrit të stadiumeve.
Deri në 2032-shin mund të ketë situata të ndryshme që mund të merren parasysh, kështu që panorama mund të ndryshojë. Në dosjen e dorëzuar sot nga Italia janë të gjitha detajet për organizimin e ‘fan zone’ të ndryshme. Një plan që tani duhet të bindë UEFA-n më shumë se ai i Turqisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




