Analize

Italia së shpejti me kryeministër të ri?

Kryeministri italian, Xhuzepe Conte po përballet me një pikëpyetje të madhe nëse do të qëndrojë apo jo në detyrë.

Mes rritjes së numrit të viktimave nga Covid-19 dhe presionit për të dalë me një plan të besueshëm për marrjen e miliarda eurove nga fondet e rimëkëmbjes së Bashkimit Europian, qeveria ndodhet nën sulme të ashpra nga ish-kryeministri Matteo Renzi, i cili po kërkon dorëheqjen e kryemistrit. Ai ka kërcënuar të tërheqë partinë e tij Italia Viva nga koalicioni që kryeson Conte, duke çuar në kolapsin e saj.

“Situata është, në aspektin teknik, një katastrofë,” tha Renzi, i cili udhëhoqi Italinë nga viti 2014 në 2016-ën, në një intervistë me të hënën vonë.

I pyetur për shanset që Conte të mbajë pushtetin, ai tha: “Do ta shohim”.

Renzi është ankuar për përparim të ngadaltë në shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit dhe vonesa në rihapjen e shkollave, duke akuzuar Conten  për përdorimin e pandemisë për të mbajtur pushtetin.

Megjithatë, përçarja e koalicionit qeveritar nisi pasi Conte përcaktoi përparësitë e shpenzimeve të fondit prej 196 miliardë eurosh që Italia pret të marrë nga BE si pjesë e planit të rimëkëmbjes.

Drafti i planit të shpenzimeve përfshin më shumë se 50 përparësi, por vetëm nëntë miliardë euro për sistemin shëndetësor të Italisë. “Kjo nuk mund të funksionojë, ka shumë për të përmirësuar në sistemin tonë shëndetësor dhe shumë pak për investime,”

Një qeveri pa Conten?

Mediat në Itali shkruajnë se në ditët në vijim pritet të ketë një riorganizim të kabinetit, me Conten që mund të bindë disa ministra të tërhiqen ose duke dhënë dorëheqjen vetë për të kërkuar një mandat të ri nga Presidenti Sergio Mattarella me një listë të rishikuar të ministrave të kabinetit.

Por ky opsion është, sigurisht, i mbushur me rreziqe.

Sapo Conte të japë dorëheqjen, Renzi mund të këmbëngulë që koalicioni qeverisës, që përfshin Lëvizjen Populiste Pesë Yjet (M5S), Partinë Demokratike (PD) dhe partinë të Lirë dhe të Barabartë (LeU), mund të mbijetojë vetëm nën një kryeministër të ri .

Mario Draghi

Sidoqoftë, nuk ka asnjë kandidat tjetër të dukshëm. Ish presidenti i Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi përmendet shpesh si një shpëtimtar i mundshëm për vendin, por ai nuk ka treguar interes për një karrierë politike, të paktën në publik.

“Personalisht, unë mendoj se një qeveri pa Kryeministrin Conte do të ishte marrëzi,” shkroi në Tëitter Federico D’Inca, ministër dhe anëtar i Pesë Yjeve, partia më e madhe në parlamentin italian.

Conte, dikur profesor, ka provuar deri tani të jetë çuditërisht i zotë në lundrimin në ujërat e politikës italiane. Ai ka qenë në detyrë që nga viti 2018, së pari në krye të një administrate me prirje të djathtë që përfshin Pesë Yjet dhe Legan e Matteo Salvinit.

Koalicioni ra një vit më vonë, por ai qëndroi në krye të një qeverie me prirje të majtë së bashku me PD-në.

Zgjedhje të parakohshme?

Nëse Conte rrëzohet dhe politikanët nuk mund të bien dakord për një pasardhës, Mattarella mund të detyrohet të thërrasë zgjedhje të parakohshme, dy vjet më herët.

Sondazhet e opinioneve tregojnë për fitoren e bllokut të krahut të djathtë të opozitës, të përfaqësuar nga Matteo Salvini i Legas dhe Giorgia Meloni e Vëllezërve të Italisë, dy parti me qëndrime të ashpra kundër emigracionit dhe BE-së.

Partia e Renzi ndërkohë rrezikon të zhduket pasi aktualisht ka vetëm tre për qind të votave.

Wolfango Piccoli, bashkë-president i firmës konsulente Teneo, tha se ai pret një ri-organizim të partive të koalicionit por që Conte të qëndrojë në pushtet.

“Fuqia e koalicionit qeverisës në Itali është se të gjitha partitë qeveritare e dinë se nuk mund të përballojnë zgjedhje,” i tha ai AFP.

BE zyrtarisht po qëndron larg kësaj krize, por me një sy vigjilent.

“Edhe para pandemisë, Italia, për shkak të problemit të saj të borxhit, huave me probleme dhe politikës së saj të brishtë, ishte një vend që shikohej më nga afër se të tjerët,” tha një burim i BE për AFP.

Hartimi i një plani të mirëfilltë për rimëkëmbjen nga pandemia është edhe më i vështirë tani që qeveria rrezikon të rrëzohet në çdo sekondë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë