Analize

Italia po ‘përmbytet’ nga vërshimi i parave ruse

Nga Gazeta 'Si'-“Ky është padyshim një problem sistemik”- tha senatori Enrico Borghi, anëtar i Komitetit të Inteligjencës të kontrolluar nga opozita në parlamentin italian. Për çfarë po përdoren këto para, pyeti ai.

Një hetim nga Njësia e Inteligjencës Financiare e Bankës së Italisë, zbuloi një sërë anomalish, duke përfshirë tërheqjen e afro 4 milionë eurove në para të gatshme, të cilat ishin marrë nga 2 llogari që i përkisnin Ambasadës Ruse në Romë, që nga koha kur Kremlini filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Sanksionet e vendosura ndaj saj nga Perëndimi, e kanë kufizuar aftësinë e Rusisë për të transferuar para përmes sistemit bankar. Por rrjeti diplomatik rus funksionon ende. Ndaj  shërbimet sekrete po përpiqen të kuptojnë nëse paratë e pagjurmueshme - që kanë lëvizur përmes 21 tërheqjeve bankare, dhe që ndonjëherë arrijnë në 100.000 euro në një transaksion - po përdoren për të financuar operacionet e ndikimit të Kremlinit.

Zyrtarët italianë besojnë se hipoteza më e besueshme, përfshin një strategji shumëplanëshe që të kujton kohët e vjetra të KGB-së. Përdorimi më i dukshëm i këtyre parave, është pagesa e individëve të lidhur me shtetin për të pasur qasje në informacione të ndjeshme, siç janë modelet e reja të armëve apo edhe sekrete të NATO-s (një oficer i Marinës italiane, u arrestua për këtë arsye në vitin 2021).

Një qasje tjetër akoma më delikate, është përmes pagesave ndaj të ashtuquajturve agjentë të ndikimit - gazetarë, ekspertë, influencues, shkrimtarë dhe blogerë, profesorë universiteti dhe studiues të grupeve të mendimit - për të shprehur narrativat që mbështesin kauzën e Kremlinit.

Lajmi për këtë u shfaq në të njëjtën ditë - 14 nëntor - me një investigim mbi Qipron, që zbuloi disa kanale përmes të cilave mbështetësit e Vladimir Putin lëviznin para dhe e fshehën pasurinë e tyre jashtë vendit.

Njëri prej tyre, oligarku rus i vendosur nën sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, Alexej Mordashov, dyshohet se i ka paguar rreth 700.000 dollarë një gazetari të njohur gjerman të vlerësuar me disa çmime, për të botuar një libër me titull “Fuqia e Putinit”, ku të argumentonte se përse Evropa ka ende nevojë për Rusinë.

Hupert Seipel e hodhi poshtë akuzën se marrëdhëniet e tij me oligarkun rus ishin të papërshtatshme, duke shtuar se çdo pagesë ka qenë në lidhje me mbështetjen për projektet e tij në fushën e publicistikës. Gjithsesi botuesi i tij ka pezulluar botimin e librit.

Gjatë Luftës së Ftohtë, ishin të zakonshme pagesat e KGB-së për individë në Perëndim, që e shihnin me simpati Bashkimin Sovjetik. Richard Gott, redaktori letrar i britanikes “The Guardian”, dha dorëheqjen në vitin 1994 pasi u zbulua se kishte takuar vazhdimisht agjentët e KGB-së, kishte udhëtuar me shpenzimet e Kremlinit dhe u kishte dhënë atyre emrat e kolegëve që mund të rekrutoheshin si propagandistë të Moskës.

Ai mohoi pranimin e pagesave prej 300 paund që i merrte poshtë tavolinave në restorantet ku takohej me agjentët sekrëtë. Dhe Gott nuk ishte një shembull i izoluar.

“Rusia po kryen një destabilizim të komunikimit dhe informacionit”- argumentoi senatori italian Borghi.

Më pas ai citoi incidentin e fundit që përfshiu kryeministren italiane italiane Giorgia Meloni, e cila u mashtrua nga 2 humoristë rusë të lidhur me Kremlinin, dhe në një moment foli hapur për lodhjen nga lufta në Ukrainë (skandali solli dorëheqjen e këshilltarit të saj diplomatik, dhe një fitore indirekte të Rusisë).

Po ashtu, ai kujtoi ditët e para të pandemisë së Covid-19, kur kryeministri i atëhershëm Giuseppe Conte, lejoi personelin ushtarak rus të hynte në vend duke ofruar një “ndihmë” shumë publike. Roma ka qenë në syrin e kritikave të Moskës, për shkak të mbështetjes s saj të fortë ndaj Kievit, ndoshta më shumë sesa shumica e aleatëve të këtij të fundit.

Dikur e parë si hallka me e dobët e rezistencës evropiane ndaj Rusisë, Italia e ka korrigjuar kursin që nga koha e qeverisë Conte, dhe ka ruajtur një trajektore të qëndrueshme atlanticiste. Sigurisht që Kremlini nuk ka reaguar mirë ndaj saj.

Pjesa më e madhe e propagandës zyrtare të Rusisë - e përcjellë përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova, ish-presidentit Dmitry Medvedev dhe ambasadorit rus në Itali Alexei Paramonov - ankohet për imazhin sipas tyre të dëmtuar të Italisë në Rusi, dhe ka nën shënjestër zërat kundër udhëheqjes së Kremlinit, përfshirë ata që ftohen rregullisht në kanalet televizive italiane.

Ndërkohë, vazhdon lufta hibride e Rusisë- duke filluar nga hakerimet ndaj infrastrukturës jetike, spiunazhi kibernetik, dhe deri tek sulmet kibernetike të stilit të vjetër. Këto të fundit janë 4-fishuar që nga fillimi i luftës në Rusi, një normë shumë më e lartë se sa shihet diku tjetër, sipas të dhënave të fundit nga CLUSIT, Shoqata Italiane për Sigurinë e Informacionit.

Ka një rritje të ndjeshme të sulmeve kibernetike ruse, e pranon Bruno Frattasi, kreu i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Italisë. Në një raport të kohëve të fundit , vetë agjencia e inteligjencës e Ukrainës zbuloi një sulm të sofistikuar kibernetik të orkestruar nga APT29, i njohur si Cozy Bear, një grup i avancuar hakerësh që vepron në emër të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR).

Midis objektivave të tij ishin ambasadat italiane. Larg nga të qenit pa lidhje midis tyre, dorëzimet e paligjshme të parave, “shakatë telefonike” dhe sulmet kibernetike, janë pjesë e të njëjtit plan afatmesëm deri afatgjatë që synon thellimin e ndarjeve politike, polarizimin e debatit publik, nxitjen e kaosit informativ dhe të mosbesimit ndaj institucioneve demokratike, duke ndërhyrë gjithashtu në procesin demokratik përmes promovimit të narrativave të lidhura me Kremlinin, si dhe duke kryer spiunazh.

Burimi: “European Council on Foreign Relations”/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë