Ndoshta është një nga kombëtaret italiane më të dobëtat e historisë. Pasi ngeli jashtë botërorit të Rusisë, Italia vijon të zhgënjejë, duke treguar një formë shumë të dobët. “Azzurrët” kanë luajtur dy ndeshje në Uefa Nations League, me Poloninë dhe Portugalinë, ku kanë marrë vetëm një pikë dhe të vetmin gol e kanë shënuar me anë të penalltisë. Në fillim ishte barazimi 1-1 me Poloninë e Robert Levandovskit, por më e rënda ndodhi mbrëmjen e së hënës në “Estádio da Luz” në Lisbonë. Italia e re e Roberto Mancinit u mund nga Portugalia edhe pa Cristiano Ronaldon.
Skuadra “azzurre” u mposht me rezultatin minimal, 1-0, por përtej rezultatit, ajo që dhëmb më shumë është loja e italianëve. Pasiguri në mbrojtje, mungesë idesh në mesfushë dhe një sulm gati inekzistent, kështu mund të përshkruhet me pak fjalë kjo kombëtare italiane që në palmaresin e saj ka katër tituj kampionë bote dhe tre tituj kampione Europe.
Trajneri që po përpiqet të ringjallë Italinë, Roberto Mancini e kishte deklaruar që në fillim se nuk do të ishte një detyre e lehtë, por tashmë ai po i provon më të vërtetë sfidat e mëdha që ka përpara. Në mbyllje të takimit në Portugali, Mancini është ndalur më shumë në problemin e çështjes së sulmit, ku sipas tij skuadra e tij ka shumë mangësi në gjetjen e rrugës së rrjetës.
“Nuk jemi në gjendje të shënojmë, ky është problem që duhet zgjidhur. Djemtë dhanë gjithçka çfarë kishin në fushën e lojës. Në pjesën e parë kishim një zotërim më të madh të topit dhe sulmuesit patën disa mundësi për të kombinuar ndërmjet tyre. Kemi shumë lojtarë të rinj dhe si rrjedhojë mungesa e eksperiencës e bën më të vështirë për ta dhe për skuadrën.”- u shpreh numri një i stolit të kombëtares italiane.
Në grupin 3 të Ligës A në kompeticionin Uefa Nations League, Italia për momentin është në vendin e fundit, me Portugalinë që udhëheq dhe që ndiqet nga Polonia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.