Tashmë që kundërshtari i çerekfinales është i njohur, Roberto Mançini dhe stafi i tij mund ta studiojnë atë dhe të përgatisin skuadrën në mënyrën më të mirë. Në fakt, që para fitores së Belgjikës ndaj Portugalisë po mendohej për ndryshime në formacion, me 2-3 elementë që trajneri ka në plan t’i hedhë në fushë nga minuta e parë të premten.
Italia duhet të japë më të mirën ndaj kundërshtarit të parë të një niveli të lartë në këtë Europian. Sinjalet janë katër: tre janë ata që lanë shenjë në ndeshjen me Austrinë duke hyrë nga stoli, Pesina, Lokateli dhe Kieza, ndërsa i katërti varet nga mkjekët dhe ka të bëjë me Kielinin. Duke nisur nga kapiteni, është e natyrshme që prania e tij në krah të Bonuçit do t’i jepte siguri një reparti që vuajti ndaj Austrisë, sidomos me futjen e Kallajxhiç.
Dyshja e Juventusit e ka mbajtur mirë Lukakun në ndeshjet ndaj Interrit dhe rikuperimi i Kielinit do të ishte i rëndësishëm më shumë se ai i Florencit. Nëse Kielini jep garanci, patjetër do të jetë titullar. Ndryshime priten edhe në mesfushë, pak sepse Pesina dhe Lokateli kanë treguar formë të mirë, dhe pak sepse Verrati dhe Barela, për arsye të ndryshme, janë në shënjestër.
Barela është dukur i lodhur pas atij sezoni të gjatë me Interin, kurse lojtari i PSG-së ende nuk ka kapur ritmin, pasi vjen nga një dëmtim. Pesina ka shumë shanse të zëvendësojë Barelën edhe për të garantuar një ekip solid për të përballuar një mesfushë numerikisht më ta madhe si ajo belge. Për Mançinin Verrati është i paprekshëm dhe pritet të konfirmohet, kështu që Lokateli me shumë mundësi e nis sërish nga stoli.
Në sulm duket thuajse i sigurt ndryshimi Kieza-Berardi, sepse dëshira, intensiteti dhe efikasiteti që ka treguar lojtari i Juventusit e bëjnë Mançinin ta llogarisë në fushë nga minuta e parë. Për më tepër, Kieza duket më në sintoni me kërkesat taktike të trajnerit, ndaj dhe është favorit ndaj Berardit. Shumë e vështirë duket ndërkohë që maja e sulmit t’i besohet Belotit në vend të Imobiles.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.