Ngjarje

Italia ndryshon funksionin e kampeve në Shqipëri, do jenë qendra riatdhesimi

Nga Gazeta Si- Ajo që mediat italiane kanë paralajmëruar më parë, se qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër do të ndryshojnë funksion, qeveria italiane e ka zyrtarizuar në mbledhjen e kësaj të premteje me një dekret të veçantë.

Këto qendra tashmë do të përdoren për strehimin e atyre që u është refuzuar azili dhe që janë në pritje të riatdhesimit.

Zyrat në portin e Shëngjinit do të shërbejnë për pritjen dhe regjistrimin e emigrantëve që do të transferohen më pas në Gjadër. Në këtë kamp do të dërgohen edhe emigrantë që nuk vijnë nga vende të sigurta.

Me këtë vendim, emigrantët e ndaluar në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre.

Emigrantët e paligjshëm, të ndaluar në qendrën e ndalimit të emigrantëve në Romë, do të transferohen në Shqipëri në pritje të dëbimit, por më pas duhet të kthehen në Itali për kthimin e tyre përfundimtar në vendet e origjinës.

Në mediat italiane shkruhet se ky ndryshim nuk është i ndaluar në marrëveshjen që qeveria italiane ka me atë shqiptare.

Ky Dekret modifikon ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, por theksohet se “kjo nuk bie ndesh me nenin 72 të Kushtetutës, i cili ndalon vetëm dekretligjet për autorizimin e ratifikimit, por jo dispozitat e përshtatjes së sistemit juridik italian që përmban ligji i ratifikimit”.

Dekreti i ri për emigrantët synon të vërë në funksion strukturat e ngritura tashmë në Shqipëri si Qendra Paraburgimi të Riatdhesimit (CPR), pas ngërçit pas vendimit të kthimit të emigrantëve, të cilët i kthyen gjyqtarët italianë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë