Euro 2020

Italia me Kiezën titullar, De Bryjne do luajë me injeksion te Belgjika

Spanjë-Zvicër dhe Itali-Belgjikë janë dy çerekfinalet e para të Euro 2020. Ato luhen nesër dhe kuptohet që e gjithë vëmendja është te sfida e Mynihut (ora 21:00) mes italianëve dhe belgëve. Trajneri Mançini ka vetëm një dyshim, që ka të bëjë me aktivizimin ose jo të Kielinit në qendër të mbrojtjes.

Kapiteni i “axurrëve” është rikuperuar, por ka sërish dyshime pas atij dëmtimi ndaj Zvicrës. Ndoshta është e kotë të sakrifikohet në këtë moment. Gjithçka varet nga vendimi i vetë futbollistit, por gjasat janë që Italia të luajë sërish me dyshen Bonuçi-Açerbi. Edhe në ndeshje kontrolli u provua lojtari i Lacios.

Italia feston fitroren ndaj Zvicrës. Gazeta Si, 1 korrik 2021

Në sulm, Mançini pritet t’i besojë një fanellë titullari Kiezës, protagonistit të fitores ndaj Austrisë me atë gol të shënuar në shtesë. Mund të jetë juventini “karta” e Mançinit në formacion, në mënyrë që të tentohet të çahet sa më shpejt muri belg në të djathtë. Për momentin, Kieza është në avantazh ndaj Berardit për të formuar treshen e sulmit, bashkë me Imobilen dhe Insinjen. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon, në mesfushë do të jetë treshja Barela-Zhorzhinjo-Verrati.

Në radhët e Belgjikës situata është e kushtëzuar nga dëmtimet e De Bryjne dhe Eden Hazard, të cilët nuk janë stërvitur me grupin ditët e fundit. De Bryjne, sipas informacioneve të shtypit belg, pritet të luajë me një injeksion, pasi është shumë i rëndësishëm për skuadrën e trajnerit Roberto Martinez. Eden Hazard mund të jetë në stol dhe vendin e tij do ta marrë Karrasko. Mbrojtja belge sërish do të jetë me tre lojtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë