Qeveria e kryeministrit Xhuzepe Konte ka miratuar një draft të ri ligjor, duke ndryshuar totalisht aktin ligjor të ish-ministrit Matteo Salvini.
Ky ligj u vjen në ndihmë të gjithë emigrantëve që duan të punojnë në vendin fqinj, duke i lehtësuar marrjen e lejeqëndrimin në vendin fqinj, por forcon luftën kundër trafikantëve të drogës duke mos lejuar hyrjen e tyre në ambientet publike.
Nëpërmjet këtij ligji, të gjithë emigrantëve në vendin fqinj u lejohet konvertimi i lejes së qëndrimit të lëshuar për motive të tjera, në leje qëndrimi për motive pune. Këtu përfshihen dhe lejet e qëndrimit të lëshuara për motive fatkeqësie natyrore, për mbrojtje speciale, për aktivitete sportiv, artistik, motive fetare e asistencë për minorenët.
Drafti i ri lejon po ashtu të drejtën e dhënies së lejes së qëndrimit për motive të mbrojtjes sociale ndaj emigrantëve riatdhesimi i të cilëve do t’u shkaktonte trajtimi jo humane e degraduese apo dhunim të respektit të jetës së tyre private e familjare.
Nga ana tjetër, normativa e re ligjore përcakton dhe masa të reja në luftën kundër trafikut të drogës e garancisë së sigurisë e rendit publik. Persona të cilët janë denoncuar qoftë dhe një herë të vetme gjatë tre viteve të fundit apo janë ende nën gjykim për shitje të lëndëve narkotike u ndalohet hyrja në një lokal publik dhe në rast shkelje të rregullave do dënohen nga 6 muaj deri në 2 vjet heqje lirie e me 20 mijë euro gjobë.
Gjithashtu në Itali forcohet lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike përmes faqeve në internet. Ndaj tyre vendoset të aplikohet e njëjta normativë ligjore si ndaj portaleve pedopornografik duke shtrirë mekanizmat e parandalimit deri në mbylljen e paltaformave ku është kryer shitblerja e drogës si dhe me rëndesën e akuzës së trafikut të lëndëve narkotike.
Gjithashtu shndërrohen në krim penal futja e përdorimi në burgje i celularëve apo instrumentave të komunikimit.
Do të dënohet ligjërisht kush përpiqet të fusë në burgje telefona celularë ashtu dhe i burgosuri që e merr në dorëzim apo kapet duke e përdorur.
Janë aprovuar masa më të rrepta dhe për ata persona që marrin pjesë në një sherr fizik ku dikush mbetet i plagosur apo humb jetën. Do të dënohet nga 6 muaj deri në 6 vite burg të gjithë ata persona që janë thjesht pjesëmarrës në sherr, jo autorë të drejpërdrejtë të krimit apo të plagosjes së dikujt.
Ministrja italiane e Bujqësisë Teresa Bellanova shprehet e kënaqur për këtë normativë të re ligjore. “Më në fund , thotë ajo, i kemi dhënë fund jo qytetarisë së draft ligjeve të sigurisë së Salvinit, duke vendosur kushte të civilizimit juridik e të drejtësisë sociale. Mbyllëm një faqe të errët të historisë italiane që për një normativë të gabuar kishte hedhur hije ndaj mijëra grave e burrave duke i transformaur në klandestinë.”
Për liderin e Partisë Demokratike Nicola Zingareti, “Italia është sot një vend më njerëzor e më i sigurtë sepse dekretet propaganda të Salvinit nuk janë më.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.