Italia do të luajë këtë të diel në “Olimpiko” kundër Uellsit ndeshjen e fundit në grup për të vijuar rrugëtimin me 100% të pikëve në këtë Europian.
Në orën 18:00 në “Olimpiko” të Romës, në takimin përmbyllës të Grupit A, vendësve iu mjafton edhe një pikë për të garantuar përfundimin e ndeshjeve të fazës hapëse pikërisht në vendin e parë.
Uellsi (ka 4 pikë) konsiderohet një “kockë e fortë”, duke patur parasysh faktin që “dragonjtë” ia dolën për të shkuar deri në mes tw katër skuadrave më të mira, që në debutimin e tyre në fazën finale të një Evropiani.
Nëse Italia nuk humbet takimin me Uellsin dhe ruan kreun e Grupit A atëherë sipas shortit të përcaktuar skuadra e Mançinit do të udhëtojë drejt “Ishullit”, për të matur forcat në “Uembli” me përfaqësuesen që do të renditet në vendin e dytë në Grupin C, pra Ukrainën ose Austrinë.
Trajneri Rob Page i ka të gjithë në dispozicion, ndërsa te Italia mbetet për t’u parë formacioni, i cili mund tw pwsojw ndryshime nw sulm.
Para takimit me Uellsin, Italia ka me probleme fizike dyshen e Paris SG, Marko Verratti-Alesandro Florenci, si dhe kapitenin Kielini.
Në krahun tjetër, Uellsi do të mundohet për të ruajtur vendin e dytë dhe një pikë do të ishte e mjaftueshme për t’i shortuar “dragonjtë” në Amsterdam, përballë ekipit që do të pozicionohet në vendin e dytë në Grupin B, pra me një nga treshja Rusi, Danimarkë, Finlandë.
Dy vendet janë përballur gjashtë herë në sfida kompetitive dhe Italia kryeson 5-1, ndërkohë duke shtuar edhe tre ndeshjet miqësore, bilanci i përgjithshëm shkon në 7-2 në favor të “axurrwve”.
Zvicër-Turqi (ora 18:00)
Sipas parashikimeve para Europianit, ata duhet të kishin qenë antagonistët e Italisë në Grupin A.
Por gjërat nuk shkuan siç kishin shpresuar Zvicra dhe Turqia, qw ndodhen në mënyrë të bujshme me një këmbë jashtë nga Kampionati Evropian, kur kanë mbetur edhe 90 minuta për të luajtur në këtë fazë të fundit të ndeshjeve në grup.
Në Baku, në Azerbajxhanin e largët, një barazim nuk ka dobi për asnjë prej tyre. Vendimtare për të dyja skuadrat do të ishte fitorja, nëse duan të shpresojnë të kualifikohen për më tej.
Ajo që me siguri ka shansin më të mirë për të arritur në raundin e dytë, është skuadra e drejtuar nga Vladimir Petkoviç.
Për të dalë në vend të dytë, Zvicra nuk mund të gabojë por, në të njëjtën kohë, ata duhet të shpresojnë që Italia të marrë më të mirën ndaj Uellsit. Megjithatë, tre pikët nuk do të mjaftonin, duke qenë në një disavantazh të qartë në diferencën e golave ndaj britanikëve.
Shaqiri me shokë duhet të fitojnë ndaj turqve me të paktën katër gola, duke besuar në goleadën e ekipit të Mançinit. Nëse ata dështojnë, zviceranët në çdo rast mund të “peshkohen” si skuadra e tretë më e mirë.
Nga ana tjetër, Turqia është thirrur të bëjë një mrekulli të vërtetë për t’u kualifikuar në fazën e “nokautit”.
Skenari që Senol Gunes dhe skuadra e tij dëshirojnë, nuk është shumë i vështirë: të mposhtë Zvicrën me një 5-0, me shpresën për t’u bërë pjesë e katër ekipeve të treta më të mira.
Në fund të fundit, një Evropian vërtet zhgënjyes për Gjysmëhënën e Kuqe, e mundur nga Italia (3-0) dhe Uellsi (2-0), në të dy rastet pa shënuar as edhe një gol.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.