Italia dhe Greqia kanë shënuar përsëri numër rekord infektimesh nga Covid-19 për 24 orët e fundit, me 126.888 dhe 35.580 të infektuar respektivisht.
Në Itali humbën jetën 156 qytetarë ndërsa në Greqi 72.
Të dyja vendet nuk lejojnë asnë hyrje nga vendet afrikane për shkak të variantit të ri të Covid-19, Omicron ndërkohë kanë ende të vlefshme masat për vendet e tjera brenda dhe jashtë BE-së.
Greqia dhe Italia kanë pasur herë pas here rritje të infektimeve me coronavirus për një kohë të shkurtër, por së fundmi po shënojnë rekorde të reja nga dita në ditë.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një rekord të ri infektimesh ditore, mbi 265 mijë raste. Sipas ekspertëve të kujdesit shëndetësor, pjesa më e madhe janë të infektuar me variantin Omicron.
Të dhënat tregojnë se shtrimet në spital janë më të shumta mes të pavaksinuarve. Nuk pritet që shtrimet në spital të arrijnë nivelet e larta të së kaluarës, thotë Amesh Adalja, ekspert i shëndetit publik në universitetin Johns Hopkins.
Vaksinat dhe kurat e tjera kanë ndihmuar në uljen e numrit të infeksioneve dhe minimizimin e rasteve të rënda. “Do të duhet kohë që të mësohemi me faktin se numri i rasteve sot, nuk ka më atë kuptim si në të kaluarën”, thotë zoti Adalja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.