Nga Gazeta “SI”- Në Torino, në mbrëmjen elegante të organizuar për 30-vjetorin e Fondazione Sandretto Re Rebaudengo, atmosfera nuk u dominua vetëm nga arti, por edhe nga politika kulturore.
Pikërisht aty, përballë rreth 500 të ftuarve, politikani Federico Mollicone shpalli se Italia kishte hyrë në një epokë të re për tregun e saj të artit: TVSH-ja për shitjet artistike ishte ulur nga 22 për qind në vetëm 5 për qind.
Reforma, e miratuar nga parlamenti italian dhe e mbështetur nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, synon të ringjallë konkurrueshmërinë e tregut italian të artit , një treg që, megjithëse i pasur në traditë dhe krijimtari, shpesh renditej pas qendrave të tjera evropiane për shkak të barrës së lartë fiskale.
Ky vit shënoi edhe rastin e parë kur ndryshimi tatimor u vu realisht në provë: panairi prestigjioz i artit bashkëkohor, Artissima, i cili celebron edicionin e tij të 32-të.
Reagimet nga tregtarët e artit ishin pothuajse unanime: masa ka sjellë frymëmarrje dhe entuziazëm në një treg që kërkonte një nxitje të tillë.

Thomas Brambilla, një nga galeristët e njohur të Bergamos, u shpreh se zbatimi i ri tatimor ka thjeshtuar ndjeshëm marrëveshjet. Galeria e tij arriti të shiste disa vepra vetëm në dy ditët e para të panairit përfshirë edhe pikturën e njohur të artistes britanike Maggi Hambling, “Wave Crashing III”.
Në një humor po aq optimist ishte edhe Alessandro Pasotti nga galeria P420 e Bolonjës, i cili raportoi një nga ditët më të suksesshme të hapjes që kishin përjetuar ndonjëherë në Artissima. Sipas tij, ulja e TVSH-së i ka bërë më të lehta jo vetëm shitjet brenda Italisë, por edhe ato me koleksionistë europianë, të cilët tani e shohin tregun italian më tërheqës dhe të arritshëm.
Megjithatë, jo të gjithë e shohin ndryshimin me eufori të pakushtëzuar. Franco Noero, një nga figurat më me peshë të skenës torineze, vuri theksin se duhen disa muaj që të kuptohet plotësisht ndikimi i reformës. Ndryshimet fiskale, sipas tij, shpesh shfaqin efektet reale në një periudhë më të gjatë.
Nga ana tjetër, drejtori i panairit, Luigi Fassi, ishte i bindur se vendimi është më shumë sesa një lehtësim ekonomik, ai është një sinjal se shteti e kupton vlerën sociale, kulturore dhe ekonomike të artit. Fassi beson se ndikimi i uljes së taksave do të ndjehet jo vetëm në rritjen e shitjeve, por edhe në rritjen e mundësive për artistët, galeristët dhe institucionet publike kulturore.
Në thelb, reforma mund të krijojë një cikël të ri investimesh dhe bashkëpunimesh, duke fuqizuar një ekosistem që prej vitesh kishte nevojë për vëmendje strukturore.

Artissima, gjithsesi, mbetet prova më konkrete e këtij ndryshimi. Me 60 për qind të ekspozuesve që vinin nga jashtë Italisë, panairi dëshmoi dimensionin e vet ndërkombëtar dhe tregoi se vendi është i gatshëm të rimarrë rolin e tij si një prej qendrave më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Evropë.
Fassi theksoi se një nga pikat e forta të Italisë mbetet lidhja e natyrshme e kulturës italiane me artin: “Familjet italiane kanë gjithmonë piktura në muret e shtëpive”, tha ai. “Koleksionimi nuk është luks, por traditë.”
Ndërsa Italia hap një faqe të re në politikën e saj kulturore, Artissima 2025 mbetet simboli i një kthese që mund të ndikojë edhe mënyrën se si arti italian komunikon me botën.
Burimi: The Art Newspapper
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



