Ka ndodhur

Itali, shqiptari vritet nga fqinji pasi tentoi t’i prishë shtëpinë me ekskavator

Gazeta Si - Një shqiptar është vrarë në Itali mbrëmjen e të enjtes pas një konflikti me fqinjin e tij në fshatin San Polo të Arezzos.

Sipas mediave italiane, viktima është 57 vjeç me origjinë nga Shqipëria, por identiteti i tij nuk është bërë i ditur. Ai u qëllua me pushkë nga fqinji i tij 53-vjeçar.

Sa i përket rrethanave të ngjarjes, shqiptari dëmtoi me ekskavator 4 makina të parkuara të fqinjit të tij e më pas goditi disa herë me kovën e ekskavatorit muret dhe çatinë e shtëpisë, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme komshiut të tij.

Ky i fundit, në rrethana të tilla, mori pushkën dhe qëlloi disa herë në drejtim të 57-vjeçarit shqiptar duke e lënë të vdekur.

Autori i ngjarjes është arrestuar nga policia italiane. Ende nuk dihen shkaqet e konfliktit mes palëve, që detyruan shqiptarin në gjaknxehtësi e sipër të shkatërronte me ekskavatorin në pronësi të tij, mjetet dhe shtëpinë e komshiut.

Banesa e fqinjit, e dëmtuar me ekskavator, është konsideruar e pabanueshme dhe familjarët janë larguar nga shtëpia.

Mediat italiane raportojnë se ekziston një hipotezë e mbrojtjes legjitime ose tejkalimit të mbrojtjes legjitime që mund të zvogëlojë përgjegjësitë e vrasësit.

Megjithatë, është ende herët për të kuptuar nëse vrasësi është ndjerë vërtet i kërcënuar, në jetën e tij dhe të familjes, nga viktima që po përparonte me buldozer.

Një histori që ka tronditur qetësinë e fshatit Arezzo në ditën e Ujit të Bekuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë