Ngjarje

Itali / Shqiptari vret gruan për xhelozi. Nëna e 4 fëmijëve humb jetën pas dy ditësh në spital

Gazeta Si – Etleva Bodi, 31 vjeçe, një shtëpiake me origjinë shqiptare, por banuese në Savona të Italisë, me katër djem nga mosha 5 deri në 11 vjeç, vdiq mbrëmjen e së dielës së 29 tetorit pas dy ditë agonie në spital.

Sipas mediave italiane, ajo ishte mbytur me duar në dhomën e gjumit nga bashkëshorti i saj, Selami Bodi, një punëtor ndërtimi 41 vjeç për arsye që dyshohet të jetë xhelozia.

Për ekipin mjekësor 118, i cili mbërriti në vendngjarje së bashku me karabinierët e alarmuar nga vetë vrasësi, situata u shfaq menjëherë e dëshpëruar: Etleva nuk kishte rrahje zemre.

Pas tetëdhjetë minutash në sallën e reanimacionit dhe dhjetë injeksione adrenaline, stafi mjekësor arriti të riaktivizojë funksionet vitale.

Për 48 orë nëna e re luftoi në spital. Por më pas gjendja e saj u përkeqësua dhe mjekët nuk mund të bënin gjë tjetër veçse të deklaronin vdekjen e saj.

Sipas një rikonstruksioni fillestar të ngjarjes, pas një debati të dhunshëm me të shoqin, Etleva ishte mbyllur në dhomën e gjumit, ndoshta për të kërkuar ndihmë ose për t’i besuar dikujt afër saj.

Bodi, nga dhoma e ndenjjes, e dëgjoi të fliste në telefon. Ai hapi derën e dhomës së gjumit dhe sulmoi Etlevën duke i vendosur duart në qafë. Gjatë gjithë kohës fëmijët flinin në dhomat ngjitur me dhomën e gjumit të çiftit shqiptar.

Kur kuptoi se gruaja e tij nuk merrte më frymë, Selamiu kërkoi ndihmë. I burgosur në “Marassi”, Bodi, një praktikant i fesë myslimane, në kufi me fondamentalizmin, sipas mediave italiane, tani akuzohet për vrasje të rëndë për arsye të parëndësishme dhe për faktin se akti është kryer kundër bashkëshortes së tij.

Një respektues i rreptë i rregullave, deri në atë pikë sa e kishte detyruar gruan e tij të hiqte dorë nga mbiemri i vajzërisë në dokumente.

Etleva ishte shtëpiake: në lagje fqinjët e shihnin të dilte çdo ditë me fëmijët e saj ose me kushërirën e saj, një fqinje.

Ajo mbante veshur fustane të gjatë dhe një vello rreth kokës dhe qafës. Rrallë ndalonte për të folur me të huajt.

“Unë e komplimentova për trëndafilat e mrekullueshëm që ajo rriti në tarracë, – thotë një fqinj me lot. – Ajo ishte shumë e turpshme, e heshtur, por gjithmonë e sjellshme, e vëmendshme ndaj fëmijëve të saj”.

I shoqi ishte i punësuar në sektorin e ndërtimit: kishte vite që punonte me disa të afërm në një biznes familjar, duke kryer rinovime dhe ndërhyrje të ndryshme.

Selamiu frekuentonte me zell xhaminë në qytetin e Savonës. Përfaqësuesi i vendit të adhurimit islam, Zahoor Ahmad Zargar, foli për të, si një nga besimtarët më këmbëngulës në qytet.

Ai ndiqte shërbesat çdo të premte, por pa gruan e tij, e cila duhej të qëndronte në shtëpi.

Ndonjëherë sillte me vete fëmijët e tij, të gjithë djem: shkëmbente disa fjalë me miqtë e tij, gjithmonë të sjellshëm Rrallëherë shkonte vetëm nëpër lagje: dilte gjithmonë me gruan dhe fëmijët, me radhë.

Në përputhje me porositë fetare më fondamentaliste, ai kishte rritur një mjekër të gjatë, gjë që e bënte lehtësisht të dallueshëm.

Në të shkuarën, nuk ka pasur denoncime nga gruaja apo raportime të mëparshme ndaj vrasësit. Katër fëmijët, për të cilët fillimisht kujdesej një kushërirë, fqinje me shqiptarët, iu dorëzuan një xhaxhai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë