Gazeta Si – Një familje shqiptare në Itali e kishin kthyer biznesin e tyre të hotelerisë në një vend ku grabisnin turistët.
Mediat italiane shkruajnë se ata janë vënë nën hetim nga autoritetet financiare të Riminit për mashtrim me kartat e kreditit të klientëve.
Tre anëtarët e kësaj familje, prindërit e djali i tyre, akuzohen për falsifikim të instrumenteve të pagesës së klientëve, duke përdorur kartat e tyre në mënyrë të paligjshme.
Pas qëndrimit në këtë hotel, klientët kanë sinjalizuar anomali në llogaritë personale bankare dhe autoritetet kanë identifikuar 150 pagesa të pautorizuara nga ata, e të përdorura nga pronarët e hotelit për interesat e tyre.
Kur klientët paguanin faturën e hotelit për dhomat e rezervuara për qëndrimet e tyre në Cattolica, në provincën e Riminit, dyshohet se familja u vidhte të dhënat e kartave të tyre të kreditit dhe të debitit.
Rastet e konfirmuara kanë ndodhur në verën e vitit 2021 dhe deri tani janë dokumentuar rreth 145 mijë euro të përfituara në mënyrë të paligjshme nga familja shqiptare në dëm të klientëve që mikpriteshin në hotelin e tyre.
Të gjitha paratë, sipas prokurorisë publike të kryeqendrës së Romagna-s, e cila ka hapur një hetim kundër çiftit dhe djalit të tyre, u janë vjedhur pushuesve që prenotonin në hotel për pak netë qëndrimi në Riverën italiane.
Hoteli në fjalë ndodhet në kufirin midis Emilia Romagna dhe Marche dhe ka ndryshuar menaxhim në vitin 2022.
Sapo u kthyen nga pushimet, shumë klientë e kuptuan se llogaritë e tyre ishin të boshatisura, për këtë arsye Prokuroria Publike e Riminit u përmbyt nga kallëzimet, të cilat i dhanë shtysë hetimeve.
Transaksioni kryhej përmes një aparati të lidhur me llogarinë bankare të hotelit dhe që përdorej nën emrin e kryefamiljarit.
Guardia di Finanza më pas sekuestroi llogaritë rrjedhëse dhe kartat e parapaguara, 8 pasuri të paluajtshme, 5 makina dhe 1 motoçikletë në dispozicion të të dyshuarve. Gjatë vitit 2022, menaxhimi i hotelit ka ndryshuar pronësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



