Ngjarje

Itali, dy shqiptarë aksidentohen me makinën e vjedhur pas ndjekjes së policisë. Humb jetën 18-vjeçari

Gazeta Si – Një 18-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Valjero Maksuti, humbi jetën dhe një tjetër u plagos teksa të dy po udhëtonin me makinë dhe në tentativë për t’i shpëtuar një ndjekjeje policore, janë përplasur me një shtyllë ndriçimi dhe mjete të tjera.

Ngjarja ka ndodhur në orën 5:00 të mëngjesit të premten në Bolonja të Italisë dhe sipas mediave lokale, makina që udhëtonin dy të rinjtë shqiptarë, ishte e vjedhur.

Aksidenti ndodhi pranë kryqëzimit me Via dei Lamponi. Sipas raportimeve fillestare, dy shqiptarët në makinë nuk i ndaluan patrullës policore, e cila i kishte sinjalizuar.

Makina patrulluese iu afrua për të inspektuar automjetin, ndërsa ishte ndaluar në një semafor të kuq, por sapo semafori u bë jeshil, dy të rinjtë u larguan me shpejtësi.

Pasoi një ndjekje që zgjati disa minuta. Duke pasur parasysh shpejtësinë e lartë, makina patrulluese i humbi ata dhe, duke vazhduar në rrugë, gjeti makinën të përplasur në një shtyllë.

Makina patrulluese dhe makina e dy të rinjve nuk ranë kurrë në kontakt, as oficerët nuk e panë përplasjen, raportojnë mediat italiane.

Dy të rinjtë u ndihmuan menjëherë; shoferi 19-vjeçar, pa precedentë të mëparshëm penalë, rezultoi kryesisht i padëmtuar dhe jo i plagosur rëndë, siç u raportua fillimisht.

Fatkeqësisht, pasagjeri 18-vjeçar humbi jetën në vend: ai kishte dënime të mëparshme për vjedhje dhe rezistencë ndaj arrestimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë