Pasi janë larguar tashmë nga Euro 2020 disa nga favoritët kryesorë për trofeun, si treshja e Grupit F, Francë, Gjermani Portugali, por edhe Holanda, shumë shpejt edhe një tjetër pretendente do të ketë të njëjtin fat, njëra mes Italisë dhe Belgjikës, që ndeshen në çerekfinale.
Itali-Belgjikë është e vetmja sfidë e vërtetë e fazës çerekfinale të Europianit, tri ndeshjet e tjera nuk krijojnë ato emocione që ka kjo përplasje. Është për të ardhur keq, që skema e kompeticionit ka vënë përballë dy skuadra si Italia dhe Belgjika që në çerekfinale. Janë të dyja skuadra të forta, të denja për të synuar trofeun, duke pasur parasysh atë që kanë dhënë në 4 ndeshjet e deritanishme.
Fituesi i Itali-Belgjikë ndeshet në gjysmëfinale me fituesin e çiftit Spanjë-Zvicër, ku iberikët janë favoritë, pa nënvlerësuar aspak zviceranët që eliminuan kampionët e botës. Në gjysmëfinale favorit do të ishte pa dyshim skuadra që do të kualifikohet mes Italisë dhe Belgjikës.
Në krahun tjetër të skemës ka shumë më pak mister. Anglia e ka autostradë rrugën drejt finales së “Wembley”-t. Në çerekfinale “Tre Luanët” ndeshen me Ukrainën e Shevçenkos, që në një farë mënyrë e ka përmbushur misionin e saj me kualifikimin ndaj Suedisë. Anglia është favorite absolute edhe falë kualitetit që ka në skuadër.
E njëjta situatë do të jetë për anglezët edhe në gjysmëfinale, ku do të ndeshen me fituesin e çiftit Danimarkë-Çeki. Të paktën në letër, asnjë nga këto dy skuadra nuk do të krijonte probleme për djemtë e Southgejt, tashmë edhe më të karikuar pas kualifikimit ndaj Gjermanisë. Anglia ka shanse maksimale për të qenë në finale, ku me shumë mundësi do të ndeshej me atë që kualifikohet mes Italisë dhe Belgjikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.