Gazeta Si – Një 43-vjeçar shqiptar, Vladimir Topjana është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e të dielës në zonën Fontanafredda të Pordenones në Itali pas një sherri me një shqiptar tjetër.
Mediat italiane shkruajnë se autori i vrasjes është Roger Shota. 34-vjeçari, menjëherë pasi e qëlloi në kokë bashkatdhetarin u largua me një “Audi” të bardhë. Bashkë me të ishte edhe i ati i tij, Pren Shota. Babë e bir u arrestuan nga policia pas disa orësh.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, ngjarja ndodhi pas një debati të fortë mes tyre në parkingun e një lokali në Fontanafredda të Pordenone-s. Roger Shota akuzohet për vrasje të rëndë me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Topjana punonte si shofer dhe ishte ulur në një bar për të parë ndeshjen mes Romës dhe Juventusit të Serisë A. Ai ndodhej nën shoqërinë e djalit të tij 17-vjeçar në momentin e ngjarjes.
Topjana ka qenë duke folur me një të afërm në vendin e parkimit, para lokalit dhe një tjetër biznesi. Biseda e tyre u ndërpre nga një Audi i bardhë që erdhi me shpejtësi.
Nga aty dolën dy persona të tjerë, gjithashtu shqiptarë. Mes të katërve më pas ka nisur një debat i ashpër që ka shkuar deri në ngritje zëri. Kjo ka tërhequr vëmendjen e disa klientëve, të cilët tentuan të rikthejnë qetësinë, por pa sukses.
Më pas, shqiptarët kanë lëvizur në një hapësirë mes dy bizneseve, ku debati verbal u shndërrua në vrasje. Njëri nga personat nxorri armën dhe qëlloi të paktën tre herë. Një nga plumbat e kapën Topjanën në kokë duke i marrë jetën menjëherë.
Policia njoftoi se pranë vendit të ngjarjes ka qenë rastësisht kunati i tij, i cili fillimisht nuk ka kuptuar se çfarë po ndodhte. Pak pas tij ka mbërritur edhe djali i viktimës. 43-vjeçari, sipas mediave, e frekuentonte shpesh zonën pasi kishte disa të afërm që jetonin aty.
Hetuesit tashmë po kërkojnë prova që do të ndihmojë në investigim. Me shumë mundësi viktima e njihte vrasësin e tij pasi ky i fundit iu drejtua menjëherë sapo zbriti nga makina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.