Gazeta Si – Një 36-vjeçar nga Kosova, i cili kishte më pak se 24 orë që kishte dalë nga burgu, është arrestuar nga policia e Padovës, pasi kishte rrëmbyer dhe përdhunuar disa herë nën kërcënimin e armës një grua nga Shqipëria.
Lajmi raportohet nga mediat italiane, të cilat theksojnë se ka qenë 37-vjeçarja ajo që ka njoftuar policinë, dy ditë pasi kishte mundur të arratisej nga një shtëpi e pabanuar ku ishte mbyllur me forcë.
Mësohet se 37-vjeçarja nga Shqipëria, u tha oficerëve se në orët e para të së shtunës ishte kontaktuar me telefon nga një burrë krejtësisht i panjohur për të, i cili i kishte kërkuar ta takonte në rrugë, sepse kishte lajme të rëndësishme për t’i thënë, duke lënë të kuptohet se djali 18-vjeçar i gruas ishte në rrezik të madh.
Pasi e takoi në rrugë, 36-vjeçari nga Kosova i tregoi asaj armën që mbante në brez, duke e detyruar atë ta ndiqte në një apartament të parë, ku ajo mbeti e rrëmbyer për disa orë përpara se të dërgohej në një shtëpi të dytë.
Këtu, 36-vjeçari, pasi kishte konsumuar kokainë, nën kërcënimin e armës e detyroi gruan e panjohur të kryente marrëdhënie seksuale të vazhdueshme për rreth dy orë.
Vetëm kur mori një telefonatë nga i biri në celular, duke zbuluar se nuk ishte në asnjë rrezik, shqiptarja arriti të çlirohej nga përdhunuesi dhe të arratisej në rrugë, duke njoftuar policinë që e dërgoi në spital.
Për dy ditë policia kontrolloi disa zona të Padovës, duke arritur të lokalizojë dhe identifikojë banesën ku, sipas të gjitha gjasave, fshihej agresori nga Kosova.
Ai është vënë në pranga në orët e para të mëngjesit, ndërsa ishte ende duke fjetur.
Mediat italiane konfirmojnë se kosovari ishte pa leje qëndrimi në Itali dhe kishte precedentë të shumtë penalë.
Ai përfundoi në burgun e Padovës në vitin 2024, ku u lirua pas 10 muajsh paraburgim të premten, një ditë para se të rrëmbente dhe përdhunonte 37-vjeçaren shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.