Ardijan Ismajli e nisi si titullar për herë të parë ndaj Interit dhe ia doli të rezistojë në 45 minutat e para. Mbrojtësi kuqezi u përball vazhdimisht me Lukakun e Lautaro Martinez dhe ndaloi sulmet e tyre, duke bërë ndërhyrje të sakta. “Eurosport” e vlerësoi atë me notën 6,5, shumë e lartë për lojtarin e një ekipi që u mund dhe e barazvlefshme me notën e Hakimi e De Vraj, dy lojtarët që vlerësoi më lart te skuadra fituese.

Pas një paraqitjeje të tillë është zgjuar edhe interesi përtej Adriatikut për të mësuar më tepër rreth tij. Babai i Ardianit, Ilmi Ismajli, ka zbërthyer për “Spezia1906.com“ profilin e djalit të tij në një intervistë të gjatë.
Spezia – “Ai ka krijuar një marrëdhënie të shkëlqyeshme me trajnerin, shkon shumë mirë me të. Është shumë i lumtur dhe i kënaqur me marrëdhënien që ka krijuar me shokët e tij të skuadrës. Ardiani, por edhe unë presim që ai të jetë në gjendje të marrë rezultate pozitive, por edhe të përmirësohet në aspektin tekniko-taktik”.

Titullar me Interin – “Të shikoja Ardianin duke luajtur në “San Siro“ ishte një emocion unik, ai dukej i mrekullueshëm. Jam shumë krenar për të, luajti një lojë të mirë dhe tregoi cilësitë e tij të mira. E kishte shumë të vështirë që të përshtatej me futbollin italian, sepse është shumë ndryshe nga futbolli kroat”.
Ardiani– “Ai është një djalë që punon shumë dhe është shumë i motivuar. Ka një karakter të fortë dhe është një person me zemër të madhe. Talenti nuk i mungon dhe ka aftësinë për t’u përshtatur me çdo lloj kampionati. Besoj se Ardiani është 100% gati për të luajtur. Ai ka sakrifikuar shumë për të arritur këtu ku është. E di që ndihet i gatshëm për të dalë në fushë dhe për të dhënë më të mirën për këtë fanellë”.

Idhulli – “Idhulli i tij është Sergio Ramos. E admiron atë, sepse është një luftëtar dhe nuk dorëzohet kurrë. Ëndrra e madhe? Ka dashur gjithmonë të bëhej një futbollist i suksesshëm”.
Shqipëria – “Kur e shoh duke luajtur me fanellën e kuqe ndjej emocione shumë të forta, kurrë nuk kam menduar se do ta shihja duke luajtur në ekipin kombëtar. Ka punuar gjithmonë me këmbëngulje, motivimi nuk i ka munguar kurrë dhe më ka befasuar edhe mua”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




