Gazeta Si – Llava nga vullkani islandez që shpërtheu dje për herë të dytë të dielën, arriti në qytetin Grindavik, i cili ishte evakuuar plotësisht disa orë më parë, rreth orës 03:00 me orën lokale (02:00 me atë shqiptare).
Qyteti me katër mijë banorë ishte zhvendosur i gjithi për të njëjtën arsye, në nëntor dhe gjithashtu në dhjetor.
Ngjarjet e këtij lloji janë relativisht të shpeshta në ishull, i cili ka 33 vullkane aktive: ato ndodhin rreth një herë në vit dhe ky është i pesti në dy vitet e fundit. Megjithatë, kishin kaluar 51 vjet që kur vullkani kishte përfshirë shtëpitë e civilëve.


Muajin e kaluar, disa barriera u vendosën për magmën, por ato nuk do të kishin mundur ta frenonin plotësisht: rrjedha i vuri flakën disa shtëpive dhe pushtoi rrugën kryesore të Grindavikut, duke e ndarë atë në dysh.
Qeveria islandeze ka shpallur një emergjencë kombëtare, niveli më i lartë i alarmit.
Kryeministrja Katrín Jakobsdóttir do të mbledhë sot qeverinë: “Është një ditë e zezë për Grindavik dhe gjithë Islandën, por dielli do të lindë përsëri, – tha ajo. – Së bashku do ta përballojmë këtë tronditje dhe gjithçka që pason”.
Edhe presidenti, Gudni Johannesson, shprehu solidaritetin me familjet e zhvendosura në TV.
“Në një qytet të vogël si ky, ne të gjithë e njohim njëri-tjetrin, është një tragjedi”, – tha një banor 55-vjeçar për agjencinë e lajmeve AFP. “Është joreale. Është si të shikosh një film”.
Ky është shpërthimi i dytë në më pak se një muaj në gadishullin Reykjaness, rreth 40 kilometra në linjë ajrore nga kryeqyteti Reykjavík, dhe i pesti nga viti 2021 deri më sot.
Deri më tani, asnjë fluturim nuk është pezulluar dhe aeroporti më i afërt, Keflavik, ka vazhduar të funksionojë normalisht.
Sipas ekspertit Robin Andrews, i intervistuar nga BBC, situata “mbetet jashtëzakonisht e rrezikshme”.
Sipas shërbimit meteorologjik islandez, rrjedha e llavës – nga dy çarje në tokë, të cilat u hapën disa qindra metra larg qytetit – më në fund ka filluar të ngadalësohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



