Një 19-vjeçare italiane me origjinë kosovare, është arrestuar nga policia gjatë një bastisjeje në Milano. Bleona Tafallari, e cila përdorte pseudonimin “nusja pelegrine” në llogaritë e saj online, akuzohet për pjeëmarrje në organizatë terroriste.
Gruaja drejtonte një rrjet “femrash”, ku bindte vajza të tjera të martoheshin me xhihadistët. Në celularin e saj janë gjetur skena të prerjes së kokave nga xhihadistët..
Për hetuesit, gruaja është “një mbështetëse e zjarrtë e ISIS”. E radikalizuar që në moshën 16-vjeçare, ajo kohët e fundit ishte shpërngulur nga Kosova në Milano, me vëllain e saj, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshortin e saj dhe me diasporën kosovare të frymëzuar nga xhihadistët.
“Nusja pelegrine”, emri i koduar – Gruaja përdorte pseudonimin “Al Muhaxhirah”, ose “nusja haxhi”, sipas provave të mbledhura nga policia. Gjithashtu nga celulari, aktiviteti i të resë për mbledhjen e fondeve për financimin e arratisjes së “motrave”, pra bashkëshorteve të luftëtarëve të ISIS-it, ka dalë edhe nga kampi i burgut kurd në Raka.
Hetimi nisi pas një raporti të inteligjencës në lidhje me bashkëshortin e vajzës, një kosovar 21-vjeçar të martuar janarin e kaluar, i cili kishte lidhje me autorin e sulmit terrorist në Vjenë, Kujtim Fejzullai.
Sulmi në kryeqytetin austriak ndodhi më 4 nëntor 2020, pak para izolimit nga pandemia: Fejzullai qëlloi në disa pjesë të qytetit dhe vrau katër persona përpara se të qëllohej për vdekje nga forcat e sigurisë.
Skenat e prerjes së kokës në celularin e saj – 19-vjeçarja mbante “mijëra” imazhe dhe video në celularin e saj, “disa prej të cilave ishin krijuar nga agjencia e komunikimit të Shtetit Islamik, “Al Hayat Media Center”, e cila përshkruante “objekte simbolike” të organizatës terroriste, si “flamuri i zi me mbishkrimin e dëshmisë së besimit, skenat e luftimeve, ekzekutimet e përmbledhura të të pafeve”, me “prerje kokash dhe zjarre, skena të sulmeve terroriste nga muxhahidët në qytetet evropiane, veprat e të cilëve lavdërohen”.
Fotoja e kamikazit në Kabul dhe masakrës në Charlie Hebdo – Në celular është edhe fotografia e atentatorit të ri, që i përket Isis-Khorasan, i cili hodhi veten në erë në aeroportin e Kabulit më 26 gusht, duke shkaktuar qindra të vdekur civilë. Ata po përpiqeshin të arratiseshin nga Afganistani asokohe, tani në duart e talebanëve. Mes pamjeve, përveç asaj në të cilën e reja paraqitet e veshur me xhihab dhe një dorezë të zezë me simbolin e ISIS-it, nuk mungojnë edhe ato të masakrës në redaksinë e revistës franceze “Charlie Hebdo”.
19-vjeçarja drejtonte një rrjet të grave – Bleona Tafallari “po përpiqej të bindte vajza të tjera të martoheshin me xhihadistët”.
Vajza drejtonte një “rrjet femëror”. Në mbi 2000 bisedat e sekuestruara nga policia italiane, u gjetën mesazhe me vajza të tjera që i kërkonin 19-vjeçares, “cilat manuale të lexonin për t’u radikalizuar”.
E reja kishte lidhje të drejtpërdrejta, sërish përmes chat-it, me gratë e të burgosurve për akte terrorizmi ose me gratë e luftëtarëve që i atribuohen kryesisht formimit terrorist të xhihadit apo luftës së shenjtë. Një bisedë mes të dyshuarës dhe një vajze kosovare në procesin e radikalizimit fetar, është emblematike, si dëshmi e rolit të saj rekrutues.
Gjatë bisedës, gruaja e arrestuar jep mbështetjen e saj për zgjedhjen e një burri me “flokë e mjekër të gjatë” me të cilin do të vdesë si martir dhe përpiqet të forcojë rrugën e besimit të 16-vjeçares që ëndërron të festojë një martesë “të larë me gjakun e jobesimtarëve”.
“Donte të shkonte të luftonte” – E reja kishte “ambicien (…) të shkonte në zonat e konfliktit. Ajo ishte anëtarësuar në shoqatën “Luanët e Ballkanit”, një degë pak e njohur e Shtetit Islamik, duke bërë propagandë.
Bleona Tafallari me bashkëshortin e saj, kishin shprehur synimin për të “krijuar një faqe me qëllime në dukje informative, por që në realitet duhet të kishte për qëllim t’i bënte myslimanët të kuptojnë se çfarë po ndodh në botë: t’i bëjë njerëzit të kuptojnë të vërtetën”. Kjo nimë u gjykua nga burri si, “jashtëzakonisht e rrezikshme”.
Për këtë arsye, ai e kishte ftuar gruan e tij “edhe për shkak të lidhjes së bindjes që ajo i detyrohet si grua, të braktiste projektin pa rezerva”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.