Policia e Lushnjes ka vënë në pranga ish-drejtorin e burgut të Lushnjes, Judmir Shurdhi. 43-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet pasi Gjykata e Posaçme e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burg për shkelje të barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera në bashkëpunim.
“Ky shtetas, në periudhën 2020-2021, gjatë së cilës ka qenë drejtor në burgun e Kosovës, Lushnjë, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka kryer veprime që përbëjnë shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo andande publike”, njoftoi policia.
Hetimi i SPAK ndaj tij dhe disa zyrtarëve të tjerë kishte të bënte me dy tendera, për shërbimin e transportit të punonjësve të rolit bazë dhe të punonjësve me uniformë.
Sipas SPAK, Judmir Shurdhi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka ngarkuar të njëjtët persona të jenë në cilësinë e anëtarit të Njësisë së prokurimit dhe Komisionit të vlerësimit të ofertave, ka miratuar shkeljet ligjore të kryera prej tyre, si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019, si dhe ka ushtruar presion ndaj vartësve të tij në vitin 2019 për kualifikimin e operatorit V.K. person fizik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.