Ka ndodhur

U paraqit për datën e gjyqit, 68-vjeçari humb jetën nga një infarkt në Gjykatën e Tiranës. Ishte paditur për përndjekje nga ish-partnerja

Gazeta Si – Ilia Drini, 68-vjeç ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të premteje brenda ambienteve të Gjykatës së Tiranës për shkak të një infarkti, pasi ndodhej për t’u interesuar për orën e një gjyqi, ku ishte paditur që në vitin 2020 nga ish-bashkëjetuesja e tij për përndjekje.

Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes, tregojnë se qytetari u fut në Gjykatë për të pyetur për orën, por nuk u ndje mirë dhe u rrëzua, më pas humbi jetën. “Erdhi pyeti për orën. Nuk u ndje mirë, u ul në stol dhe ra në karrige”, – tregon dëshmitari.

Viktima ishte thirrur për t’u paraqitur këtë të premte në një seancë gjyqësore në Gjykatën Penale në Tiranë, ku ishte paditur për përndjekje nga ish-bashkëjetuesja e tij.

Viktima, Ilia Drini

I akuzuar për përndjekje

Në dosjen hetimore, thuhet se 68-vjeçari ishte marrë i pandehur për “shkaktimin e vetëvrasjes”, në tentativë.

Referimi i dosjes në prokurori është bërë nga policia për shkaktim vetëvrasje, më pas Prokurori, në datën 11/10/2021 ka rikualifikuar veprën penale në “përndjekje”, duke e dërguar në gjyq për këtë akuzë.

Ka qenë vetë ish-partnerja që e ka kallëzuar Ilia Drinin, me të cilën të paktën prej vitit 2017 ka pasur lidhje, dhe histori denoncimesh nga ana e saj në polici për përndjekje, ofendime.

Sipas dosjes, 68-vjeçari nuk pranonte ndarjen, e kërcënonte se nëse nuk kthehej me të, do e vriste atë dhe familjen. Nën këtë situatë, vajza kishte pirë ilaçe për të vrarë veten. Në disa raste ka marrë dhe urdhër mbrojtje.

Avokati i viktimës, Ndue Pjetra duke folur për mediat

Flet avokati

Avokati i tij, Ndue Pjetra, tha për mediat se dosja e tij është dorëzuar vitin e kaluar në tetor, ndërkohë i pandehur rezulton prej vitit 2021.

Sipas avokatit, akuza ndaj tij kishte ndryshuar nga “përndjekje personi” në “shkaktim vetëvrasje” pa u mbajtur seancat përkatëse.

“Nuk duhen shtyrë gjyqet, 3 muaj me radhë… Akuzohej fillimisht për përndjekje, por pastaj për shkaktim vetëvrasje. Ngjarja ka ndodhur në 2020-ën. Ishte e dashura e tij, ose bashkëjetuesja nuk e di shumë mirë, ajo kishte bërë një kallëzim penal e nxitur nga të tjerët që t’i merrte pasurinë. Ai ka nja 3 vjet që jetonte vetëm, ishte profesor i arteve marciale, një njeri shumë i nderuar”, deklaroi avokati i të ndjerit.

Pretendimi i këtij të fundit është se ish-bashkëjetuesja e 68 vjeçarit e “nxitur” nga të tjerët kishte ngritur padi penale ndaj tij për t’i marrë pasurinë. Madje Pjetra thekson: “Familjarët e saj donin ta martonin me çdo kusht me të!”.

Në dëshminë e saj, ish-bashkëjetuesja, 37 vjeç, shprehej se si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike kishte tentuar të vetëvritej me mbidozë ilaçesh.

Pjetra shtoi se procesi ndaj klientit të tij ishte i vonuar. Madje, ai thotë se 13 klientë të tij kanë vdekur deri tani duke pritur gjyqin.

“Ne u vumë në dijeni dhe ne i këna prit këto gjona. Ne i vumë në dijeni gjithë institucionet që drejtësia e vonuar kështu do të përfundojë. Deri më tani mbi 13 klientë të mi kanë vdekur duke pritur gjyqin. I thonë 6 vjet 7 vjet, vetëm nga shkalla e parë në Apel. Gjykata vërtetë është e vështirë, duhet të dalin të shtunë e të diele të bëjnë gjyqe, jo t’i shtyjnë gjyqet me 5 muaj”, tha avokati i viktimës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë