Shendet

ISHP survejancë kombëtare për hepatitin akut, por mjekët të paqartë për shenjat klinike: Janë të njëjta me virozat

Pas alarmit për shfaqjen e rasteve me hepatit akut tek fëmijët në Europë, SHBA, Izrael dhe Japoni, edhe Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri, ka vendosur të survejojë situatën epidemiologjike në rang kombëtar.
Përmes një udhëzimi të datës 13 maj dërguar të gjithë mjekëve pediatër të shërbimit parësor, ISHP u kërkon atyre kapjen në kohë të rasteve që mund të paraqiten me shenjat e hepatitit akut.
“Është e rëndësishme që të vendoset survejanca në nivel kombëtar sa më shpejt të jetë e mundur për tu mbledhur informacione të detajuara epidemiologjike, klinike, virologjike, duke përfshirë dhe analizat toksikologjike për rastet”, thuhet në udhëzimin e ISHP.


Sipas ISHP, sëmundja është mjaft e rrallë dhe transmetimi nga njeri tek njeriu mbetet i paqartë.
“Për shkak të shkaktarit të panjohur të sëmundjeve bëhet fjalë për “një zhvillim shëndetësor shqetësues”, thuhet nga ECDC.
Sipas autoritetit shëndetësor të BE, rreziku për fëmijët në Europë “nuk mund të vlerësohet me saktësi”. Por për shkak se sëmundjet e Hepatitit, në shumë raste çojnë në probleme të mëlçisë dhe kërkojnë transplantim mëlçie, rreziku për të vegjlit konsiderohet “i lartë”, thuhet në udhëzimin e ISHP.
Më tej, në udhëzim mjekët orientohen për shenjat klinike që mund të paraqesin fëmijët e prekur nga hepatiti akut i cili nuk ka ende një shkak.

Çfarë thonë mjekët?

Por mjekët pediatër thonë për Gazetasi.al se shenjat klinike të cilat janë përcaktuar nga udhëzimi janë 18 të tilla që përkojnë me një gjendje viroze apo gripi tek fëmijët.
“Konjunktivit, diarre, temperaturë, dhimbje koke, shenja respiratore, rash, dhimbje fyti, të vjella, anoreksi, urinim me ngjyrë të errët, dobësi e përgjithshme, feçe me gjak/pa gjak, këto janë disa nga simptomat e përshkruara në udhëzim që duhet të kemi parasysh kur na paraqiten fëmijët në vizita. Por të gjitha janë dyshuese sepse mund të jetë një virozë, një gjendje gripale, jemi konfuz edhe me skemën e mjekimit që na rekomandohet të përdorim”, thonë mjekët.

Foto ilustruese-Fëmijë duke u vizituar-Marrë nga interneti. 18.03.2022.


Nga ana e ISHP kërkohet që për çdo rast të dyshuar, duhet të njoftohet ISHP me email, whatsapp, sms ose letër me postë.
“Çdo mostër e marrë duhet të dërgohet pranë ISHP brenda 48 orëve”, thuhet ndër të tjera në udhëzimin e ISHP dërguar mjekëve të shërbimit parësor.
Nga ana tjetër, ISHP i kërkon autoriteteve shëndetësore të komunikojnë me mjekët pediatër, mjekët e përgjithshëm dhe mjekët specialistë që të informojnë për nevojën e gjetjes aktive të rasteve dhe raportimit të rasteve të reja.
Gjithashtu ISHP kërkon testimin menjëherë pas shfaqjes së simptomave, të mostrave të marra tek fëmijët simptomatikë për adenoviruse apo viruse të tjera që mund të shkaktojnë hepatitin.
ISHP thekson nevojën e rritjes së ndërgjegjësimit të prindërve për të njohur shenjat e para të hepatitit, (verdhëz, të vjella, dhimbje barku dhe jashtëqitje të zbehtë) dhe kontaktin me mjekun specialist.

Por cilat janë rastet e mundshme me hepatit akut?

“Një person që paraqet prej 1 janarit 2022, shenja të hepatitit akut që nuk përfshin viruset A-E pra jo nga viruset e hepatitit A, B, C, D, E, ose një paraqitje klinike të një shkaku me natyrë metabolike, të trashëguar ose genetike, të lindur ose mekanik, nën moshën 16 vjeç.
Rast i lidhur nga ana epidemiologjike është një person që prej 1 janarit 2022, paraqet shenja të një hepatiti akut të çdo moshe që është kontakt i ngushtë i një rasti të mundshëm.
Ndërsa rast në pritje janë rastet e mundshme që raportohen në bazën e një gjykimi klinik edhe nëse rezultatet e testimit për viruset A-E nuk kanë përfunduar ose nëse është një hepatit akut ose kronik, me shkak metabolik. Nëse rezultatet e testimit për viruset A-E nuk kanë përfunduar, por kriteret e tjera janë përmbushur, rasti klasifikohet si rast në pritje.


Më shumë të prekur janë fëmijët nën 10 vjeç, rastet më të shpeshta janë konstatuar tek fëmijët nën 5 vjeç. Shumica e këtyre fëmijëve kanë pasur shëndet të mirë më parë. Tek simptomat e para shihen dhimbje barku, diarre, të vjella dhe verdhëza.
Hepatiti është sëmundje e mëlçisë, që shfaqet shumë rrallë tek fëmijët e shëndetshëm. Ekspertët e përjashtojnë një lidhje me vaksinën e Covid-19, sepse shumica e fëmijëve të prekur nuk kanë qenë të vaksinuar.
Sipas ECDC si “tezë pune” konsiderohet një lidhje e mundshme me adenoviruset, që janë viruse mjaft të përhapur të gripit dhe që në raste normale shkaktojnë vetëm ecuri të lehtë të sëmundjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë