Shendet

ISHP: Shtatori mbyllet me shifra të larta të Covid-19. Në javën e 3-të, 57 raste të rënda, më të prekurit të moshuarit

Nga Gazeta Si- Muaji shtator mbyllet me shifra të larta të të prekurve nga Covid-19, çka parashikon një situatë epidemiologjike jo të mirë në raport me sezonin e verës.

Informacioni zyrtar nga Instituti i Shëndetit publik, tregon për një trend të rritur ku kulmi është arritur në 2-javëshin e fundit të muajit shtator, që përkon me datat 11-17 shtator.

Në një prononcim zyrtar nga ISHP për Gazetasi.al, në total këtë javë janë konfirmuar 1213 raste me Covid-19 por numri i vdekjeve është 0.

“Mesatarja ditore e rasteve të reja për javën e 37-të është 173.3 raste në ditë.

Deri në datën 17 shtator, incidenca e sëmundjes Covid-19 në Shqipëri është rreth 11 mijë raste për  100 mijë banorë, dhe vdekshmëria është 126 vdekje për 100 mijë banorë.

Gjatë javës së fundit niveli i incidencës është pak më i lartë pasi është në vlerën e 42.38 raste për 100 mijë banorë”, thuhet në informacionin zyrtar të ISHP për Gazetasi.al.

Sipas ISHP, në dy javët e fundit, incidenca e rasteve me Covid-19 për Shqipërinë është 75 raste për 100 mijë banorë, më e lartë se dyjavëshin e mëparshëm.

“Gjatë muajit gusht ka patur një rritje të incidencës duke u krahasuar me muajt e mëparshëm. Incidencën më të lartë e ka grupmosha 65-74 vjeç, e ndjekur nga ajo 75+”, thonë burimet zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik.

Shtator, 63 raste të rënda me insuficencë respiratore

Në dispacerinë e Tiranës, situata është e qetë, megjithëse shifrat e Covid-19 për muajin shtator paralajmërojnë një sezon dimri jo aq relaksues për sistemin shëndetësor.

Edhe në qendrat shëndetësore numri i vizitave për viroza dhe grip është më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Mjekët e familjes thonë se më shumë paraqiten raste me pneumoni kryesisht tek pacientët kronikë të moshës mbi 65-vjeç.

Ndikim në sëmundshmërinë e tyre ka pasur dhe infektimi nga Covid-19.

ISHP, në buletinin e saj javor për javën që lamë pas, thotë se numërohen rreth 63 raste me insuficencë të lehtë dhe të rëndë respiratore, përfshi dhe Covid-19.

“Në javën e fundit të muajit shtator,  theksojmë se janë raportuar 9 raste me insuficencë të lehtë respiratore dhe 57 raste me insuficencë të rëndë respiratore. Nga rastet e lehta, 5 prej tyre janë Covid-19 ndërsa nga rastet e rënda, 24 prej tyre janë Covid-19. Asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv për grip”, thotë ISHP.

Sipas ISHP, në Rajonin Europian të OBSH-së, deri në javën e tretë të muajit shtator, u raportuan 41. 611 raste të reja të Covid-19 dhe 172 vdekje të reja të raportuara nga autoritetet kombëtare.

“Kjo paraqet një rënie prej 8,1% të numrit të rasteve të reja dhe një rënie prej 11,3% të numrit të vdekjeve krahasuar me javën 35/2023.

Në javën e tretë të shtatorit, 35.2% e rasteve ishin te personat e moshës ≥65 vjeç dhe 91.4% e rasteve fatale ishin te personat e moshës ≥65 vjeç”, thonë burimet zyrtare të ISHP-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë