Për shkak të situatës së krijuar nga moti i ftohtë, Instituti i Shëndetit Publik këshillon qytetarët të kenë kujdes në këto ditë acari.
Në një postim në Fb, ISHP bën apel që qytetarët duhet të bëjnë kujdes gjatë këtyre ditëve të ftohta me veshjen e tyre para se të dalin nga shtëpia.
“Përdorni veshje të ngrohta, pulovra të trasha, xhupa rezistente ndaj erës dhe shiut, kapele, doreza, këpucë kundër ujit. Hidhni rërë ose materiale të tjera të rekomanduara në zonat ku ka ngricë, - rekomandon ISHP. - Lexoni rregullat e sigurisë për ambientet e jashtme. Lëvizni ngadalë kur kryeni punë dhe detyra në ambiente të jashtme”.
ISHP këshillon që qytetarët të dalin të shoqëruar dhe të marrin një kuti të ndihmës së shpejtë kur ndodhen jashtë banesave të tyre. “Mos harroni të merrni celularin”, thuhet në postimin e ISHP-së.
Gjatë këtyre ditëve, Shqipëria do të jetë në prezencën e temperaturave nën zero, ku në shumë zona malore termometri ka shënuar -16 gradë celsius, duke bërë që ngrica të shkaktojë probleme me furnizimin me ujë dhe ndërprerje të energjisë elektrike për disa fshatra në verilindje dhe juglindje.
Po ashtu, për tre ditë është pezulluar mësimi në të gjithë shkollat e ciklit parauniversitar, përkatësisht në datat 24,25 dhe 26 janar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.