Bota

Ish-zv/kryeministrja kanadeze do të punojë si këshilltare e Zelenskit

Gazeta Si – Ish-zëvendëskryeministrja kanadeze, Chrystia Freeland ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti i saj parlamentar për t’u bërë këshilltare për zhvillimin ekonomik të Ukrainës.

Emërimi i saj u njoftua të hënën nga presidenti Volodymyr Zelenski. Freeland tha se nuk do të marrë asnjë kompensim për rolin e saj të ri.

Freeland, 57 vjeçe, është një ish-gazetare me prejardhje ukrainase. Në dhjetor 2024, ajo dha dorëheqjen si ministre e Financave në qeverinë e qendrës së majtë të Justin Trudeau, duke përmendur mosmarrëveshjet mbi masat ekonomike dhe tregtare të miratuara nga Kanadaja në përgjigje të tarifave të shpallura nga presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump.

Dorëheqja e saj përkeqësoi një krizë politike që kishte vazhduar prej disa muajsh, duke kulmuar me dorëheqjen e Trudeau-s.

Në mars, ajo u emërua ministre e Transportit në qeverinë e kryeministrit të ri Mark Carney, por më pas dha dorëheqjen në shtator për t’u bërë e dërguara e Kanadasë për rindërtimin e Ukrainës.

Tani ajo do të largohet edhe nga ky post. Në vitin 2014, regjimi rus e vendosi atë në një listë të perëndimorëve të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi, në hakmarrje për sanksionet kanadeze dhe për mbështetjen e saj ndaj protestave pro-evropiane në Ukrainë të njohura si “Euromaidan”, të cilat çuan në arratisjen e presidentit pro-rus Viktor Janukoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë