Euro 2020

Ish-trajneri nuk e fal Perisiçin: Dikush ta çonte prej veshi të vaksinohej

Në Kroaci ka ende zhgënjim për eliminimin dramatik nga Spanja në 1/8-at e Euro 2020. Ish-trajneri i famshëm i Kroacisë, Mirosllav Blazheviç, i cili e çoi këtë skuadër deri në gjysmëfinale të Botërorit të 1998, ku u eliminua nga Franca, është i bindur se me Lovren dhe Perisiç në fushë, skuadra e Zllatko Daliç nuk do të kishte humbur ndaj Spanjës.

"Nëse do të luanin Perisiç dhe Lovren, spanjollët nuk do të na kishin mundur kurrë. Kurrë, ju siguroj për këtë. Ishte një handikap i madh të luaje pa Lovren në mbrojtje në atë ndeshje. Dhe nuk do të kishim mbërritur këtu ku jemi për faj të Ivan Perisiçit”, - ka thënë ish-trajneri i njohur kroat. Ai ka kritika të forta për lojtarin e Interit.

Ish-trajneri kroat, Mirosllav Blazheviç. Gazeta Si, 2 korrik 2021

"Duhej të ishte vaksinuar! Kur mësova se nuk e kishte bërë vaksinën, thashë se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë gjë. Nuk mund ta besoj që ka individë kaq primitivë që nuk vaksinohen. Biri im, duhej të ishe vaksinuar për të mirën tënde dhe të kolegëve të tu. Duhet! Nuk do ta bësh? Mirë, dikush duhej ta merrte prej veshi dhe ta çonte në infermieri për ta vaksinuar", - është shprehur më tej Bllazheviç.

Perisiç mungoi ndaj Spanjës, pasi rezultoi pozitiv në testin anti-Covid pak ditë para ndeshjes, kurse mbrojtësi Dejan Lovren mungoi në këtë ndeshje për shkak të skualifikimit nga kartonët e verdhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë