Tre pikë pas katër ndeshjeve të para në Grupin I të kualifikueseve për Euro 2024, bënë që Federata e Kosovës të shkarkonte nga detyra trajnerin Alain Giresse. Ky i fundit dështoi t’i dhuronte “Dardanëve” një ide dhe sistem loje, ndaj zgjidhja më e mirë ishte ndarja e rrugëve para kohe.
Tashmë, Kosova është vendosur në kërkim të trajnerit të ri që do të marrë përsipër të dërgojë në fund këto eliminatore e më pas të riorganizojë edhe njëherë përfaqësuesen Dardane për ta rikther në “shinat e duhura”. Janë disa emrat që përfliten si pasues të Giresse, ndërsa nga Bosnja zbulojnë se Dardanët po punojnë për të firmosur me Vahid Halilhodzic.
Tekniku boshnjak është ekspert i punës në skuadra kombëtare duke qenë se ka drejtuar me sukses të madh Bregun e Fildishtë, Japoninë, Algjerinë dhe Marokun duke i kualifikuar ato në Botërorë. CV-ja e 70-vjeçarit është mjaft e pasur pasi në të kaluarën Halilhodzic ka trajnuar edhe në Francë skuadra si Lille, Nantes apo Paris Saint-Germain.
Mbetet për t’u parë nëse Kosova do t’ia dalë ta bindë atë që njihet ndryshe edhe si “Vaha” pasi në garë është edhe kombëtarja e Bosnje-Hercegovinës që e sheh trajnerin me shumë eksperiencë si të duhurin për ta rikthyer skuadrën te suksesi.
Eksperienca e fundit e 70-vjeçarit ka qenë me kombëtaren e Marokut teksa skuadrën afrikane e drejtoi për tre vite nga 2019-ta deri në 2022-shin, për t’ia lënë stafetën Walid Regregui, trajnerit që e udhëhoqi ekipin edhe në Botërorin e Katarit 2022, pikërisht të kualifikuar në event nga Halilhodzic. (Supersport)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




