Ne rrjet

Ish-presidenti Trump u bën thirrje amerikanëve ‘të qëndrojnë të fortë e të vendosur’

Nga Gazeta 'Si'-Pas tentativës për vrasjen e tij, ish-presidenti Donald Trump tha se ishte “më e rëndësishme se kurrë ndonjëherë” që vendi të qëndrojë i fortë, i vendosur dhe të mos lejojë që të triumfojë e keqja.

“Faleminderit të gjithëve që më mbajtët dje në mendimet dhe lutjet tuaja, pasi ishte vetëm Zoti që parandaloi që të ndodhte më e paimagjinueshmja”, tha ai në platformën e tij të medias sociale, Truth Social. “Ne NUK DO TË FRIKËSOHEMI, por do të qëndrojmë të vendosur në Besimin tonë dhe Sfidues përballë Ligësisë”, shkroi ai.

Trump pritet të emërohet këtë javë si kandidat zyrtar për president i Partisë Republikane, për t’u përballur në zgjedhjet e 5 nëntorit me presidentin demokrat Joe Biden. Zoti Trump tha se pret me padurim t’i drejtohet vendit të enjten nga Kuvendi kombëtar i Partisë Republikane, që do të mbahet në Miluoki, të shtetit Viskonsin.

Agjencitë e zbatimit të ligjit identifikuan 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, banor në Bethel Park, të Pensilvanisë, si “subjektin e përfshirë” në të shtënat me armë. Persona që ishin gjendur jashtë perimetrit të sigurisë, ndërsa fliste ish-presidenti Trump, thanë se i kishin bërtitur më kot policisë, kur kishin parë autorin e sulmit që zvarritej mbi godinë me armë.

Autori i dyshuar arriti të gjuajë me armë katër deri në pesë herë, duke e goditur ish-presidentin Trump në veshin e djathtë, si dhe duke vrarë pjesëmarrësin në tubim Corey Comperatore dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë, përpara se të vritej vetë nga policia.

Autori i dyshuar, Thomas Matthew Crooks, mori diplomën e maturës dy vjet më parë dhe ishte regjistruar si votues republikan. Por, sipas të dhënave të Komisionit Federal Zgjedhor kur ishte 17 vjeç, ai pati dhënë edhe një kontribut prej 15 dollarësh për organizatën politike “ActBlue”, e cila mbledh fonde për kandidatë demokratë dhe me prirje të majta.

Bashkëshortja e ish-presidentit Trump, ish-zonja e parë Melania Trump, e cila nuk merrte pjesë në tubim, shkruajti në mediat sociale të dielën: “Një përbindësh që e njihte bashkëshortin tim si një makinë jonjerëzore politike u përpoq të shuante pasionin e Donaldit – të qeshurën e tij, gjenialitetin, dashurinë për muzikën dhe frymëzimin. Tiparet themelore të bashkëshortit tim – ana e tij njerëzore – u varrosën nën makinerinë politike”./ VOA


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë