Drejtësia

Ish-presidenti Ilir Meta dëshmon sot në SPAK për ’21 Janarin’

Gazeta Si – Ish-presidenti Ilir Meta, do të paraqitet këtë të enjte në orën 10:00 në SPAK për të dhënë dëshminë e tij lidhur me dosjen “21 janari” të vitit 2011, ku në një protestë para kryeministrisë u vranë 4 protestues të opozitës së asaj kohe të drejtuar nga Edi Rama.

Ka qenë Meta, ai i cili iu drejtua me kërkesë SPAK-ut për t’u pyetur lidhur me 21 janarin duke pretenduar se për shkak të postit që kishte mbajtur si zv.kryeministër në qeverinë e Sali Berishës, ka të dhëna që mund t’i shërbejnë hetimit.

Ngjarjet e 21 janarit lidhen me protestën e zhvilluar përpara Kryeministrisë, gjatë së cilës katër qytetarë humbën jetën.

Kjo protestë shpërtheu pas publikimit të një videoje komprometuese që përfshinte zv.kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta dhe ish-ministrin Dritan Prifti.

Në regjistrimin filmik, me një kohëzgjatje rreth 12 minuta, shfaqej një bisedë mes Metës dhe Priftit, ku flitej për një marrëveshje financiare prej 700 mijë eurosh, e lidhur me dhënien e koncesioneve dhe licencave për një hidrocentral.

Publikimi i kësaj videoje shkaktoi reagime të forta publike dhe politike, duke kulmuar me protestën tragjike të 21 janarit.

Hetimi për këtë çështje u rihap nga SPAK në korrik të vitit të kaluar, pas regjistrimit të procedimit penal për disa vepra të rënda, përfshirë vrasjen në rrethana cilësuese, të kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorimin e detyrës dhe pengimin e drejtësisë.

Deri tani, në kuadër të këtij hetimi janë thirrur për t’u marrë në pyetje disa nga figurat kryesore të asaj periudhe. Mes tyre janë ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu, vetëm pak ditë më parë, në SPAK ka dëshmuar edhe ish-presidenti Bamir Topi.

Në 21 janar të 15 viteve më parë u vranë nga garda protestuesit, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë