“Serbia po hyn në një fazë të paqëndrueshmërisë politike që sapo ka filluar dhe nuk do të ndalet, por është shumë e vështirë të thuhet se çfarë drejtimi do të marrë më tej”, thotë Zharko Koraq, psikolog dhe ish-zëvendëskryeministër i Qeverisë së Serbisë në Kabinetin e Zoran Gjingjiçit, në një intervistë për “The Geopost”.
Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiç po e humb kontrollin.
“Ky nervozizëm që po tregon Vuçiç, nuk është vetëm për shkak të këtyre krimeve monstruoze në Serbi, por edhe për shkak se atij po i kalon koha rreth problemit të Kosovës. Ai tashmë ka marrë një paralajmërim – një artikull në New York Times, që është një gazetë e pavarur, intelektuale, liberale dhe gazeta më me ndikim amerikan jashtë SHBA-së. Do të thotë që ai mori një paralajmërim se janë në dijeni se çfarë po bën dhe nervozizmi është i madh: ai ka problemin e Kosovës, humbjen e kontrollit mbi atë që po ndodh në vend, krimet natyrisht dhe së treti, ai ka një situatë shumë të keqe ekonomike në vend”, thotë Koraq.
“Takimi më i madh në histori” që Vuçiç paralajmëroi për 26 maj, sipas tij, është një shenjë se presidenti serb kishte frikë nga humbja e pushtetit.
“Para së gjithash, me këtë tubim, që është për të ardhur keq, ai po e rinovon traditën e Sllobodan Millosheviçit, i cili organizonte të tilla mitingje të mëdha. Njëri prej tyre ishte në Ushçe kur shkrimtari Vitezoviç tha ‘populli ndodhi’ dhe kjo është hera e dytë që populli ndodh. Nuk ka funksionuar atëherë dhe nuk do të funksionojë as tani”, shton ai.
Koraq vlerëson se askush nuk i kontrolloi serbët në Kosovë kaq sa Vuçiç.
“Ndoshta Millosheviçi në fillim të sundimit të tij, por kjo ishte një situatë tjetër. Kosova nuk ishte shpallur e pavarur atëherë, ajo teknikisht ishte ende pjesë e Serbisë dhe ish-Jugosllavisë”, shprehet Koraq.
Ai beson se Vuçiç ka bërë një gabim kardinal duke shantazhuar Perëndimin dhe Prishtinën duke i tërhequr serbët nga të gjitha institucionet.
“Serbët ishin në Qeveri, Parlament, kryetarë të komunave. Ai shkaktoi një krizë të madhe duke menduar se Perëndimi do të paraqiste një fakt të kryer dhe se Perëndimi do ta detyronte Kurtin që Asociacionin e Komunave Serbe ta shihte siç donte ai dhe jo ndoshta si do ta kishte bërë Kurti”, beson ai.
Koraq është i bindur se Vuçiç nuk ka ndërmend të pranojë dhe zbatojë Planin e Ohrit.
“Vuçiç nuk ka ndërmend të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, për të çdo zgjidhje për çështjen e Kosovës humbet në sytë e votuesve të tij. Dhe ai mendon vetëm për votuesit e tij. Vuçiç mban të ashtuquajturat fokus grupe dy herë në ditë, kjo është unike. Nuk kam dëgjuar që dikush ta bëjë këtë, ai si në mëngjes ashtu edhe në pasdite i shqyrton besnikët e tij politikë dhe e di se do të humbasë me çdo zgjidhje të çështjes së Kosovës”, thekson Koraq.
Ai shton se Serbia e ka humbur kartën ruse dhe Vuçiç e vëren këtë.
“Ai në të vërtetë nuk ka askund mbështetje politike. Paradoksalisht, ai ende mbështetet më së shumti nga SHBA-të dhe një pjesë e Evropës, duke pritur që ai të bëjë një lëvizje racionale, që do të thotë të bëjë përfundimisht një lloj marrëveshjeje me Kurtin. Dhe Perëndimi, po më mungon fjala e duhur, ne në psikologji e kemi një termin formësim – vazhdimisht po mundohen ta formësojnë, në serbisht do të thoshin ‘nutkaju ga’ (po e lusin tepër), për mendimin tim fare pa rezultat”, shton ai.
Koraq përfundon se ne nuk jemi një rajon prioritar as për Perëndimin dhe as për Evropën.
“Gjëja më e rëndësishme për Perëndimin në këtë moment është të mos ketë konflikt të armatosur dhe kjo është një pritshmëri tmerrësisht e ulët nga rajoni”, përfundon Koraq. /TheGeoPost/koha
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




