Drejtësia

Ish-ministri Ilir Beqaj i sëmurë, GJKKO shtyn gjyqin për ‘Sterilizimin’

Gazeta Si – GJKKO shtyn për në 7 maj seanca për dosjen e “Check Up dhe Sterilizimin” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Shkak është bërë mungesa e Beqajt dhe avokatit të tij, Ermal Yzeiraj. Përmes një e-mail-i, Yzeiraj informonte gjykatën se nuk mund të paraqitej për shkak të një angazhimi akademik.

Sipas tij, bashkëshortja e Beqajt, e kishte vënë në dijeni se gjendja shëndetësore e klientit të tij (hernia) ishte rënduar dhe se nuk mund të paraqitej në gjyq.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

SPAK i akuzon për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe shpërdorimit të detyrës. Për Beqajn ishte caktuar masa “detyrim paraqitje” në vitin 2023, por ish-ministri u arrestua në korrik të vitit të kaluar nën akuzën e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që drejtonte agjencinë “SASPAC” në një tjetër aferë.

Ish-ministri kërkoi gjykimin normal me shqyrtimin e të gjithë provave, ndërsa 8 të pandehurit e tjerë kërkuan gjykim të shkurtuar në mënyrë që të përfitojnë ulje në rast dënimi.

Në komisionin hetimor që u ngrit për të hetuar aferën e “Sterilizimit”, Beqaj dhe të pandehurit e tjerë u paraqitën për të dhënë llogari para deputetëve.

Por dëshmia e Beqajt nuk u arrit të sigurohej për ditë me radhë, pasi nuk iu pranua kërkesa e prezantimit me anë të fotove dhe ky i fundit nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve.

SPAK thotë se janë përdorur kosto të rreme të shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi.

Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. Për këtë aferë janë marrë të pandehur 9 persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë