Ekonomi

Ish-ministri i Financave Ahmetaj “gropos” veten dhe Rilindjen

Ahmetaj kthen projektbuxhetin 2020: Nuk mendon për shtresat në nevojë. Të shlyhen detyrimet e prapambetura. Ish-ministri paralajmëroi gjatë mbledhjes së komisionit daljen e Shqipërisë me një eurobond të ri në tregjet ndërkombëtare, por nuk dha detaje.

Batutat e kreut të Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj drejtuar zyrtarëve të Ministrisë së Financave “Mos e gënjeni ministren, 4,1% rritja nuk arrihet. Tkurreni, tkurreni. Për ministren është buxheti i parë, por juve nuk iu falet”, pa nisur ende mbledhja për buxhetin, u dukën një bisedë konfidenciale që do të sheshohej gjatë relacionit.
Por nuk ndodhi kështu. Ish ministri i financave ishte këmbëngulës në gjykimin e tij se “ky buxhet nuk bën”.

Ai identifikoi së pari se projektbuxheti për vitin 2020 nuk ka një titull, pra një fokus në një fushë të caktuar që do të mund të jetë prioritet për vitin që po troket: për shembull “Buxheti i shëndetësisë”.

Ministria e Financave parashikon një rritje ekonomike në nivelin prej 4.1% në vitin 2020 dhe 4.5% për dy vitet e tjera.

Po ashtu për Arben Ahmetaj rritja ekonomike 4,1 % për vitin 2020 kur ekonomia jonë mbetet e rrezikuar nga faktorë të brendshëm e të jashtëm, pa një paketë sociale të parashikuar në buxhet për shtresat në nevojë, pa investime të reja publike, është një optimizëm jo realist.

Kreu i Komisionit Ahmetaj i kërkoi Ministres së Financave Anila Denaj që të përmirësohet relacioni për projektbuxhetin 2020 duke u riparë rritja ekonomike me ulje për 2020-ën. “Një reflektim i pritshmërisë 2019 ndaj planifikimit të 2020”.

“Banka Botërore e ka ulur parashikimin për Shqipërinë gjatë 2019-ës në 2,8-2,9%, më i ulti në rajon”- tha Ahmetaj gjatë relatimit të projekbuxhetit 2020-të.

Projektbuxheti tha ai, nuk ka parashikuar bonusin për pensionistët, rritje pagash e pensionesh dhe investime publike.

Për kreun e komisionit Ahmetaj ky projektbuxhet nuk ka asnjë politikë të re sociale apo mbështetëse.

“Kjo bie në kundërshtim me politikat e majta të qeverisë”- u shpreh Ahmetaj.
Ai sugjeroi që të priten edhe treguesit e nëntorit që në korrigjimin e relacionit të parashikohet edhe bonusi për pensionistët.

Të dhënat e e deritanishme tregojnë se qeveria nuk ka mundur të përdor rreth 13,3 mld lekë nga ato që kishte planifikuar në fillim të vitit.

Në këtë kontekst Ahmetaj iu drejtua financave i revoltuar që kjo shumë të shkojë për shlyerjen e plotë dhe të menjëhershme të detyrimeve të prapambetura ndaj projekteve infrastrukturore që rezultojnë në 6,2 mld lekë. “Sepse nuk mban më ujë pilafi me detyrimet”- tha ai.

Por, rritja ekonomike dhe punësimi, siç citohet në relacionin e projektbuxhetit, do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 4.7% e PBB.

Duke cekur investimet publike ai vërejti se shuma 300 mln lekë që do të shkojë për rrugën Orikum-Dukat është qesharake në raport me vlerën e projektit gati 60 mln euro.
“Kështu krijohen detyrimet e prapambetura. Nuk ka asnjë rrugë të re për 2020-ën. Janë shtyrë për 2022-2023. ”- u shpreh Ahmetaj.

Në diskutimin e investimeve Ahmetaj kërkoi një buxhet më të madh për By passin e Tepelenës duke e konsideruar shumën 300 mln lekë të pamjaftueshme në raport me shumën totale prej 2,2 mld lekësh pa TVSH që kushton kjo vepër, por mbi të gjitha sipas tij, kjo rrugë është një arterie e rëndësishme që të lidh me gjithë Jugun e Shqipërisë.

Ahmetaj kërkoi edhe një plan konkret për unazën e Tiranës; që nga financimi dhe afatet.
“Historia që rrugët shtyhen se s’ka para, nuk mund të vazhdojë më. Kryeministri është shumë i interesuar për konektivitetin. Nëse nuk jemi të lidhur brenda nuk mund të zgjerojmë zonën ekonomike me rajonin”- komentoi Ahmetaj duke shtuar edhe një tjetër kërkesë, për pagat.
Ai sugjeroi se hierarakia e pagave nuk mund të vendoset sipas vullneteve politike, ato duhet të konvergojnë me konsolidimin fiskal. Ai kërkoi nga financat piramidën e pagave.
Po ashtu Ahmetaj kërkoi edhe rishikim për rritjen e të ardhurave.

Ahmetaj theksoi se parashikimi për rritjen ekonomike 4,1 nuk justifikohet me asnjë tregues.
“Ne nuk e pranojmë këtë lloj konsolidimi fiskal me vrima në taksa, në kurriz të qytetarëve dhe të të pamundurve. Ky buxhet nuk është i qytetarëve. Buxheti duhet të ketë prioritet Arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale”- tha ai.

Defiçiti buxhetor për vitin 2020 planifikohet nga financat të jetë në nivelin 1.6% të PBB dhe cilësohet si niveli më i ulët i targetuar në dy dekadat e fundit, por që për Ahemtaj është shumë i ulët në kontekstin ekonomik ku ndodhemi. Sipas tij, defiçiti për 2020 duhet të jetë 1,9 % e PBB-së.

Financat thonë se, për të pestin vit rradhazi balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.7% duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse për të pestin vit radhazi. Në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB.
Sipas sektorëve Rendi dhe siguria do të marrin 1,6 % të tortës së buxhetit, mbrojtja dhe mjedisi 0,1%, shëndetësia 3%, kultura 0,2%, arsimi 2,5% dhe mbrojtja sociale planifikohet me ulje nga një vit më parë.

Në këtë mbledhje për projektbuxhetin 2020 foli vetëm ish ministri i financave Arben Ahmetaj, vulën e të cilit mban buxheti 2019-të mbi të cilin është ndërtuar ai që do të vijë.

Ministrja në detyrë vetëm prej 6 muajsh do të flasë në mbledhjen e nesërme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë