Ish-ministra që janë në kryetarë të komisioneve parlamentare janë në konflikt interesi, pasi po shqyrtojnë vendime e projektligje në favor të qëndrime që kanë mbajtur më parë në qeveri.
Ky është alarmi i dhënë nga ana e Institutit të Studimeve Politike, i cili me anë të një letre i është drejtuar Kuvendit që të marrë në konsideratë faktin se kjo shkakton një konflikt interesi.
“Janë raportuar disa raste kur ish ministra, tanimë në pozitën e kryetarëve të Komisioneve Parlamentare, vlerësojnë dhe gjykojnë akte dhe nisma të ndryshme, të cilat janë propozuar po prej tyre nga pozita e mëparshme e ministrit. Pavarësisht se posti i ministrit i përket pushtetit ekzekutiv dhe propozimet janë bërë mbi këtë bazë, gjykimi nga i njëjti person i nismave të ardhura po nga ai/jo vetë, sipas ekspertëve tanë, cenon parimin e kontrollit kushtetues dhe të ndarjes e balancës së pushteteve si dhe krijon dyshime për vendimmarrje në kundërshtim me etikën parlamentare”, thuhet në letrën e ISP-së.

Edhe pse jo me emra konkret, në Kuvend ish-ministrat Arben Ahmetaj, Niko Peleshi janë vendosur në postin e kryetarëve të komisionit të Ekonomisë dhe të Veprimtarisë Prodhuese. Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka debatuar disa herë në komision për çështjen e projektligjeve të ndryshme siç ishte ajo e PPP-ve, por edhe sa i përket edhe debatit me Autoritetin e Konkurrencës për çmimet monopol të biletave të avionëve.
ISP-ja jep gjithashtu alarmin se një pjesë e deputetëve janë denoncuar nga kolegët apo grupe parlamentare publikisht për marrje të vendimeve në konflikt interesi. Kryesisht këto raste janë për ushtrim të funksionit parlamentar në mbështetje të privilegjuar të bizneseve që lidhen direkt me ta ose me familjarët e tyre. Deri tani ISP bën të ditur se nuk kemi pasur asnjë reagim të institucioneve përgjegjëse, përfshirë edhe praktika të mundshme të verifikimit, hetimit apo sqarimit publik.

“Janë raportuar raste të tjera, në të cilat deputetë të veçantë pranojnë gjatë debateve në komisione se janë në konflikt interesi dhe në ndonjë prej këtyre rasteve edhe dorëhiqen vullnetarisht nga votimi, – ndërkohë që zyrtarisht ata nuk figurojnë si emra dhe as si raste në Regjistrin e Konfliktit të Interesit në Kuvend. Pavarësisht se Kodi i Sjelljes së deputetëve e bazon deklarimin tek vullneti i deputetit, Parlamenti mund e duhet të krijojë mekanizma të vazhdueshëm verifikimi dhe deklarimi, në mënyrë që rastet e konfliktit të interesit të mos figurojnë vetëm ato kur individë të veçantë pranojnë gjendjen dhe tërhiqen, por edhe rastet kur deputetët nuk deklarojnë gjendjen, pra vijojnë ushtrimin e aktivitetit dhe të vendimmarrjes parlamentare në rrethana të dukshme ose të dyshuara të konfliktit të interesit”, thekson ISP-ja. Ekspertët e ISP vlerësojnë se secili prej këtyre problematikave përbën devijim nga parimet dhe standardet e mira parlamentare, të sanksionuara edhe në Kodin e Sjelljes, – si dhe krijojnë bazë dyshimi për problematikat që lidhen me konfliktin e interesit në ushtrimin e aktivitetit parlamentar.
Deputetë me probleme me drejtësinë te Siguria dhe Ligjet
Një tjetër shqetësim i ngritur nga ISP është fakti i përfshirjes së deputetëve që janë me të kaluar të “errët” që kanë pasur probleme apo janë janë dënuar nga drejtësia. Konkretisht thekson se këto raste janë konstatuar me deputetët që janë anëtarë në komisionet parlamentare të Sigurisë dhe të Ligjeve.
“Janë raportuar raste të tjera kur deputetë të ndryshëm, – të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare ose janë nën hetim, përfshirë deputetë të rinj të sapozgjedhur në Kuvend, – janë emëruar në Komisione me rëndësi për nivelin e zbatimit të ligjit, siç janë Komisioni i Sigurisë Kombëtare apo Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Prania dhe sidomos ushtrimi i funksionit të tyre kontrollues mbi institucione prej të cilave janë hetuar, dënuar apo janë nën hetim, përbën një rast të cenimit të standardeve etike parlamentare dhe një praktikë që duhet evituar maksimalisht në të ardhmen”, thuhet në këtë letër.

Edhe pse nuk jepen emra konkretë, kohët e fundit marrja e mandatit nga ana e Ylli Shehut të LSI-së shkaktoi polemika, pasi ai u akuza se ka qenë i dënuar më parë nga Gjykata, por që vendimin e kishte fshehur. Ai është anëtar i komisionit parlamentar të Sigurisë. Ndërsa te komisioni parlamentar të Ligjeve, deputeti i PS-së, Jurges Çyrba ka qenë i përfshirë në hetimin ndaj çështjes Shullazi, ku emri i tij si zyrtar i Hipotekës së Durrësit doli në përgjimet e prokurorisë. Ndërsa hetimet e prokurorisë kanë nisur edhe me dosjen e Avdylajve apo të Dibrës, për të cilën aludohet se ka përgjime deputetësh për shitblerjen e votave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




