Futboll

Ish-lojtari italian ngre në qiell Asllanin: Djalë për së mbari, s’i trembet ‘San Siros’

Gazeta Si – Mes merkatos dhe ndeshjes së radhës, janë të shumta temat që shoqërojnë sfidën mes Interit dhe Empolit. Një ndeshje e rëndësishme sa i takon titullit për Interin, që përballet me skuadrën e shqiptarëve Bajrami, Ismajli dhe Asllani.

Për këtë ndeshje ka folur Françesko Pratali, një nga mbrojtësit legjendarë të Empolit, i cili është ndalur edhe te paraqitja e Kristjan Asllanit, mesfushorit të Kombëtares kuqezi. Pratali e njeh shumë mirë, ndaj nuk i ka kursyer elozhet për këtë futbollist, i cili kërkohet edhe nga Interi. Ai ka shprehur bindjen se Asllani do të bëjë një ndeshje të madhe në “San Siro”.

Françesko Pratali, ish-lojtar i Empolit. Gazeta Si, 4 maj 2022

“Kristjanin e kam parë të rritet, ka qenë gjithmonë si një i shtëpisë. Është një djalosh shumë i lidhur me familjen, që i ka transmetuar vlera të rëndësishme. Jam shumë i kënaqur, sepse përveçse një talent i madh, është edhe një djalë për së mbari, shumë i përulur. I uroj më të mirat, meriton gjithçka, pasi po bën gjëra vërtet të rëndësishme.

Roli i tij ideal? Ai është organizatori klasik para mbrojtjes, shumë i zoti për të ndërtuar lojën. Di të luajë me një takim, të luajë shkurt dhe të japë topa të gjatë me të dyja këmbët, edhe pse është i djathtë. Kur ishte më i vogël e shikoja të gjuante goditjet e këndit me të djathtën dhe të majtën, të dyja njësoj. Ka kualitet të lartë dhe po e tregon edhe tani, mes më të mëdhenjve. Ju garantoj për të, e njoh shumë mirë, ai do të përmirësohet gjithmonë në çdo aspekt. Edhe tani që e kërkojnë klubet e mëdha, është po ai dajoloshi i zakonshëm.

Asllani gjate ndeshjes Empoli-Specia, 0-0. Gazeta Si, 4 maj 2022

Asllani i ka të gjitha ‘kartat’ në rregull për të luajtur me një skuadër të madhe. Jam i bindur që herët a vonë do ta bëjë këtë gjë. Ka të dhëna shumë të mira teknike, por edhe mendje të kthjellët. Nuk flas vetëm për sjelljen. Ai luan në të njëjtën mënyrë si në ‘San Siro’, ashtu edhe poshtë pallatit. Sipas meje, ky është një aspekt që bën diferencën. Ka presion, kur duhet të fitosh gjithmonë, por ai është gati nga kjo pikëpamje që në moshën 20-vjeçare. Është gati 100%”, – ka thënë Pratali për talentin kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë