Gazeta Si – Shorti i eliminatoreve të Europianit 2024, që zhvillohet në Gjermani, është pritur me entuziazëm nga futbolldashësit dhe specialistët në Shqipëri. Kuqezinjtë kanë ‘peshkuar’ në short dy nga skuadrat më të lehta që bënin pjesë në dy vazot e para, Poloninë dhe Çekinë. Grupi plotësohet me Ishujt Faroe dhe Moldavinë.
Shanset e Shqipërisë për të qenë ën dyshen e parë të grupit janë reale, siç pohuan presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe trajneri Edi Reja. Ky i fundit në fakt me shumë gjasa nuk do të jetë në krye të Kombëtares në këto eliminatore, që nisin në mars të vitit të ardhshëm.

Sokol Kushta, ish-sulmues i Kombëtares, ka shprehur qëndrimin e tij, duke shkruar në Facebook: “Bravo, Zoti e bëri punën e tij me këtë short të mirë, tani të shohim dorën e njeriut si do jetë”.
Një mesazh i qartë për një short të favorshëm për Kombëtaren. Një mesazh i qartë po ashtu edhe për skuadrën dhe trajnerin që do ta drejtojë Shqipërinë në këto eliminatore. Në gjykimin e Kushtës, kualifikimi varet nga vetë kuqezinjtë dhe stafi i tyre.
Me nota pozitive për shortin ka folur edhe ish-kapiteni Altin Lala. Ai është shprehur se ‘Klinsmani e kishte dorën mjaltë’, duke bërë një batutë me ish-sulmuesin e famshëm gjerman, që tërhoqi goglat në short.
Nga ana e rivalëve tanë në grup, kryesisht Polonisë dhe Shqipërisë, ka pasur vlerësime për Shqipërinë, por edhe një lloj bindjeje se dy vendet e para nuk duhen diskutuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




