Gazeta Si - Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, është paraqitur në SPAK mesditën e kësaj të enjteje, ku ka qëndruar për rreth një orë.
Ndërsa nuk ka një konfirmim zyrtar për arsyet e thirrjes së tij në Strukturën e Posaçme, paraprakisht mësohet se është thirrur me kërkesë të prokurores Enkeleda Millonai për t’u pyetur për tenderët e dhëna në kohën kur ai ka drejtuar Bashkinë e Kavajës.
LEXO EDHE:
- Elvis Roshi i shpëton burgut
- Si e zbritën nga kali Elvis Rroshin
Ish-kryebashkiaku i Kavajës ka qenë i vetëm dhe pa avokat. Roshi është thirrur në cilësinë e personit që ka pasur dijeni dhe deri në këto momente nuk ka një akuzë zyrtare.
Ai nuk ka pranuar të japë asnjë prononcim për median, duke u përpjekur të shmangë pyetjet e drejtuara nga gazetarët lidhur me detajet e thirrjes së tij në SPAK.
Në vitin 2018, ai ka qenë i akuzuar për falsifikimin e formularit të ligjit të dekriminalizimit. Roshi qëndroi 4 muaj në "arrest shtëpie" gjatë hetimit të çështjes në atë periudhë. Në përfundim, u dënua me 5 muaj heqje lirie, por që iu konvertua me 60 orë pune në interes të publikut.
Gjatë procesit, ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës pranoi se kishte falsifikuar formularin, por kjo sipas tij kishte ndodhur nga pakujdesia dhe se para plotësimit të tij ai nuk ishte konsultuar me një avokat.
Sipas prokurorisë, Elvis Roshi nuk kishte deklaruar një dënim në Itali me 1 vit e 4 muaj burg për akuzën e përdhunimit në grup.
Gjithashtu në formular mungonin disa masa arresti dhe dëbime që Roshi kishte nga vende të tilla si Gjermani dhe Zvicra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.