Drejtësia

Ish-kryepolici Gledis Nano fiton në gjyq pagën e 5 viteve. Gjykata: Shkarkim i paligjshëm

Gazeta Si – Më pak se dy vjet pas shkarkimit nga kryeministri Rama, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka fituar betejën e tij të parë me Këshillin e Ministrave.

Gjyqtarja Administrative Afërdita Caco ka urdhëruar Ministrinë e Brendshme, Këshillin e Ministrave dhe Policinë e Shtetit, të paguajnë për ish-zyrtarin pagën për 60 muaj me radhë, njësoj sikur të kishte mbyllur mandatin 5-vjeçar të drejtimit të Policisë së Shtetit.

Gjykata ka vendosur të pranojë pjesërisht padinë e Nanos, ndërsa ka refuzuar kërkesën tjetër të tij, sistemimin në strukturat e tjera të policisë. Megjithatë vendimi është ankimuar nga autoritetet shtetërore të paditura dhe pritet një tjetër betejë ligjore në Apelin Administrativ.

Në vendimin e saj gjykata Administrative thotë se qeveria ka diskrecion të pakufizuar në emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por këtë diskrecion nuk e ka për shkarkimin.

Kjo, pasi ligji e thotë qartë se shkarkimi nga detyra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit mund të bëhet vetëm në dy raste: kur dënohet me vendim gjykate, të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale ose nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij.

Nisur nga këto rrethana, administrativja vendos që ta konsiderojë të paligjshëm shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe t’i japë Nanos të drejtën e marrjes së pagave për të pesta vitet, sa e ka të parashikuar me ligj mandati i tij.

Në vendimin e arsyetuar, Shkalla e Parë thotë se pretendimi se është shkarkuar për performancë të ulët nuk qëndron, pasi është vërtetuar më pas se ajo ka qenë mbi mesataren vjetore.

“Gjykata çmon se përcaktimi nëse paditësi ka bërë performancë të ulët dhe jo mesatare psh, nuk mund të përcaktohet vetëm nga 3 muaj punë, ndërkohë që ka pasur gati 10 muaj në këtë detyrë. Po ashtu, referuar provave të paraqitura nga paditësi, Raportit vjetor të Policisë së Shtetit të vitit 2022 të administruara në cilësinë e provës, u provua në gjykim se performanca e paditësit Gledis Nano, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka qenë mbi mesataren vjetore, të vitit të kaluar”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Njëherësh në vendimin e saj, gjyqtarja Afërdita Caco, ka pranuar kërkesën e Gledis Nanos, për ekzekutim të menjëhershëm të përkohshëm të vendimit, pa pritur se çfarë do të vendosi Apeli Administrativ.

Nano, përmes përmbaruesve privatë mund ta verë në ekzekutim menjëherë vendimin gjyqësor për të marrë 60 pagat. Por në rast të prishjes së vendimit apo rrëzimit të kërkesës, shumat financiare Nano duhet ti kthejë sërish në buxhetin e shtetit. Gledis Nano e drejtoi Policinë e Shtetit për rreth 11 muaj, nga shtatori 2021, deri në gusht 2022.

Vendimi për përjashtimin e tij si kryepolic i vendi u mor nga kryeministri Edi Rama me argumentin se nuk ka realizuar objektivat, me propozim të ish-ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Në vend të tij, u emërua drejtori aktual i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili më parë mbante detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Rreth një muaj nga shkarkimi i tij, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, SHBA nuk e prisnin largimin nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ajo tha se SHBA e vlerësojnë Nanon dhe bashkëpunimin e tij me të dhe në këtë kontekst, komentin që pati në Tëitter pas largimit të tij nga detyra, e cilëson si pohim fakti, e jo ndërhyrje në vendimin e qeverisë.

“Ne mendonim se ai ishte një partner i mirë për ne kur drejtonte njësinë kundër terrorizmit. Dhe më pas kur ishte drejtor i policisë. Nuk e prisnim shkarkimin”, – u shpreh Kim në 29 shtator 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë