Nga Sokol Çunga– Të zbulosh nuk nënkupton gjithmonë të nxjerrësh nga një skutë e panjohur diçka që s’e ka parë kush më parë. Të zbulosh do të thotë edhe të shohësh me tjetër sy, nga tjetër këndvështrim, atë që e ka parë gjithkush para teje, por s’ka qenë në gjendje ta veçojë mes gjithçkaje tjetër. Kështu ndodh jo pak herë edhe në arkiv. Kësaj here, nën përshkrimin mëse konvencional: “Diplomë e Kostandin Kotës për përfundimin e shkollës Pedagogjike të Athinës më 1904 dhe dhënien e titullit mësues”, vumë re se fshihej diçka tjetër. Jo një diplomë pedagogjie, por një diplomë masonerie!
Më 19 dhjetor 1902 i jepet titulli Mësues i Lozhës Masonike “Maqedonia” një shqiptari fort me emër: Konstandin Nuçi Kottës, njohur në dokumentet dhe tekstet e historisë si Kostaq Kotta. Diploma thotë se, pasi kreu të gjitha mësimet, sipas rregullave, u regjistrua në regjistrat e Lindjes së Madhe të Greqisë me numër amze 354. Diploma në fjalë është përpiluar në gjuhën greke më 10 janar 1904. Është nënshkruar nga Mësuesi i Madh, Rodhokanakis, nga Thesarmbajtësi i Madh dhe Sekretari i Madh i Lozhës. Kurse nënshkrimi i Konstandin Kottës ndodhet anën e djathtë, vertikalisht.

Kostaq Kotta pati lindur më 1889 në Korçë. Pasi studioi shkenca politike në Athinë, u kthye në Shqipëri ku u mor me veprimtari politike dhe qeverisëse që më 1913, si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit. Mori pjesë në Kongresin e Lushnjes, e më pas mbajti një sërë funksionesh, si: Prefekt i Beratit, Ministër i Brendshëm, Ministër i Punëve Botore, Ministër i Arsimit, Kryeministër dhe Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, në periudhën përpara pushtimit italian. Më 1944, pas çlirimit të Shqipërisë, u shpërngul në Selanik të Greqisë. Mirëpo agjentët e shërbimit sekret e gjetën, e rrëmbyen dhe e sollën në Shqipëri, ku në prill 1945 u dënua me 30 burg. Vdiq mes torturave në burgun e Burrelit më 1949. Siç thotë bibliografia, vendimin për ndërtimin e atij burg e kishte marrë vetë kur shërbente ministër.
Sigurisht, dokumenti që paraqitëm na vendos përpara disa pyetjeve: Vallë, mund të anëtarësohej një fëmijë 13-14 vjeçar, aq sa ishte Kotta më 1902, në Lozhën e Masonëve të Lirë? Teksa diploma është përpiluar më 1904, si e ka nënshkruar Mësuesi i Madh, Rodhokanakis, i cili kishte vdekur në janar të vitit 1902? Kemi, vallë, gabime të sekretarisë që ka përpiluar dokumentin, apo një falsifikim të pakujdesshëm? Sido që të jetë, kemi në duar një dokument fort grishës: një diplomë masonerie!
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



