Drejtësia

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja mohon akuzat për fshehje pasurie: Banesa në Golem, e vëllait

Gazeta Si - Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja ka mohuar në Gjykatën e Posaçme akuzat për fshejje të pasurisë.

Ai ka theksuar se apartamenti në Golem me hapësirë 60m2 dhe një garazh, është në emër të vëllait dhe duhet të përgjigjet ai.

“Për apartamentin e vëllait në kryemëdhenj i përket vëllait dokumentet e tregojnë këtë. Ndaj për këtë duhet të pyesni vëllain”,- deklaroi Dedja para trupit gjykues.

Po sipas tij, shuma prej 10 mijë euro e marrë hua te kunati, janë para të siguruara prej të fundit në emigracion para vitit 2000.

“Ju më akuzoni se kunati nuk kishte mundësi të më jepte borxh 10 mijë euro, sepse s’mi ka kaluar në bankë, por të gjithë emigrantët në 30 vjet i kanë sjellë paratë në këtë mënyrë, - u shpreh ai. - Jam me kredi që e përfundoj në vitin 2033 dhe nga njëra anë SPAK thotë që dakord kam marrë kredi dhe e justifikon, pastaj ngre akuzë, ku i gjeti kunati paratë për borxh. Por ajo shtëpi duhej mobiluar, duheshin karrige për shembull e orendi. Ndaj i mora borxh”.

Pas daljes nga seanca Dedja nuk pranoi të japë detaje, duke thënë se do përgjigjet në një moment tjetër.

Përmes avokates së tij, Dedja tha se procesi ndaj tij ka qenë i paragjykuar dhe se gjatë hetimit një nga aktekspertimet financiare ka qenë i papërdorshëm.

GJKKO vendosi të shtyjë seancën për 15 qershor të mbrojtjes së vendimit për të përgatitur konkluzionet.

Bashkim Dedja akuzohet për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, ndërsa SPAK kërkoi 1 vit burgim që konvertohet për shkak të gjykimit të shkurtuar në 2 vite shërbim prove.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë