Bota

Ish-kreu i Bankës së Vatikanit dënohet me burg për pastrim parash

Angelo Caloia, ish-drejtues i bankës së Vatikanit u gjet fajtor për akuzën e përvetësimit, mashtrimit dhe pastrimit të parave dhe u dënua me thuajse 9 vite burg, duke u bërë zyrtari më i lartë i Vatikanit që ndëshkohet për një krim financiar.

Vendimi është dhënë nga Gjykata e Vatikanit ditën e enjte, ku u dënuan gjithashtu edhe Gabriele Liuzzo, 97 vjeç dhe djali i tij, Lamberto Liuzzo, 55 vjeç, që të dy juristë italianë dhe konsulentë të bankës.

Caloia drejtoi bankën e njohur zyrtarisht si Instituti për Punët e Religjionit (IOR) nga viti 1989 deri në vitin 2009. 81-vjeçari doli në gjyq për mashtrim dhe korrupsion me pronat e palujtshme të Vatikanit. Gjatë procesit u provua se ai kishte raportuar si të shitura nën koston e tregut të paktën 20 prona të Selisë së Shenjtë në Itali, duke përvetësuar diferencën e parave, që më pas i transferonte në bankat e Zvicrës.

Prokurorët thanë se shuma totale e parave të përvetësuara në mënyrë të paligjshme nga personat e akuzuar shkonte deri në 60 milionë euro. Por, gjykata tha se provohej që të akuzuarit kishin përvetësuar paratë e blerësve, apo para që i përkisnin Bankës së Vatikanit në një shumë totale rreth 19 milionë euro.

Gabriele Luizzo u dënua me 9 vite burg, ndërsa Lamberto me pesë vite. Gjykata urdhëroi sekueestrimin e rreth 38 mln eurove që të akuzuarve iu gjetën nëpër llogaritë bankare dhe urdhëruan dëmshpërblimin me 20 mln euro të tjera për Bankën e Vatikanit dhe kompaninë e saj të pronave të paluajtshme.

Të akuzuarit këmbëngulën në pafajësinë e tyre dhe gjatë procesit gjyqësor kërkuan si dëshmitarë ish-sekretarë të Vatikanit dhe kardinalë që kanë qenë pjesë e bordit vëzhgues të bankës, për të provuar se kardinalët kanë qenë në dijeni të këtyre shitjeve dhe i kanë miratuar.

Nisur nga mosha e të dënuarve, mbetet e paqartë nëse ata do të vuajnë ndonjë ditë pas hekurave, por procesi është vlerësuar si një hap pozitiv prej Vatikanit, që dëshmon vullnetin për të ndëshkuar krimet financiare në bankën e tij, që është akuzuar ndër vite, për pastrim parash dhe lidhje me politikanë dhe elementë të mafies italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë