Kosova

Ish-krerët e UÇK-së vizitohen në Hagë nga familjarët, nuk ka afat kur do të nisë gjyqi

Pas më shumë se tetë muajsh në paraburgim në Hagë, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë filluar të takojnë familjarët e tyre. Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale të Kosovës kanë filluar lejimin e vizitave nga data 15 korrik, ku i pari që ka takuar familjarët e tij ishte Jakup Krasniqi.

Michael Doyle, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka bërë të ditur gjatë seancës së radhës ndaj të akuzuarëve se vizitat kanë filluar të lejohen pas fushatës së suksesshme të vaksinimi Gjithashtu, Doyle bëri të ditur se vizitat me anëtarët tjerë të familjes do të rinisin në gusht-shtator.

Gjatë kësaj seance, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që deri më 2 gusht, të dorëzojë një listë paraprake të dëshmitarëve, që synon të thërrasë në sallën e gjyqit për të dëshmuar.

Luka Mishetic kërkoi që Gjykata të japë listën e dëshmitarëve që dëshiron të thërrasë e në sallën e gjyqit dhe ata që nuk ka gjasa që t’i thërrasë në sallë për të dëshmuar. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga avokatët e të pandehurve të tjerë.

Gjyakata tha se ka nisur nxjerrjen e materialeve por nuk do të identifikojë parapraksiht të gjithë dëshmitarët, duke argumentuar se prokuroria do të mbështesë të gjitha akuzat e saj në dëshmitarët që ka, pavarësisht nëse ata do të thirren në sallën e gjyqit për të dëshmuar.

Megjithatë, Dhomat e Specializuara tha se është e gatshme që të identifikojë dëshmitarët që nuk do të thërrasë në sallë, por që do të përdorë dëshmitë e tyre.

Po ashtu, Gjykata tha se në këtë rast janë përafërsisht pesë dëshmitarë ndërkombëtarë.

Prokuroria nuk ka datë për nisjen e gjyqit

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou kërkoi që Zyra e Prokurorit të Specializuar që të tregojë nëse qëndron ende muaji tetor, si afat për dorëzimin e dosjes paraprake dhe se në cilën fazë të hetimeve është prokuroria.

Dhomat e Specializuara thanë se nuk kanë datë për nisjen e gjyqit dhe se hetimet “do të vazhdojnë për të ardhmen e parashikueshme”, duke shtuar se hetimet janë në një fazë të avancuar.

Mbrojtja tha se prokuroria nuk mund të bëjë hetime të pafundme dhe shtoi se derisa të marrin të gjitha materialet e nxjerra, nuk mund të ndërtojnë mbrojtjen e tyre.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kritikoi Zyrën e Prokurorin e Specializuar për zvarritjen e nxjerrjes së materialeve dhe ndryshimin e afatit për dorëzimin e materialeve dhe masave mbrojtëse. Mbrojtësi i Thaçit, Luka Mishetic kërkoi që gjykatësi të caktojë një afat për dorëzimin e raporteve.

Ndërkaq, mbrojtja e Veselit tha se gjykatësi duhet të caktojë një afat dhe pas tij, të mos pranohen materialet që dorëzon prokuroria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë