Politike

‘Ish krerët e UÇK po mbahen peng në Hagë’. Rama nga Prishtina: Procesi është i parregullt

Nga Gazeta 'Si'- Nga Prishtina, kryeministri Edi Rama ka lëshuar mesazhe të forta edhe kundër Gjykatës së Hagës ku prej pesë vitesh po vijon procesi ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Rama tha se ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po mbahen peng dhe padrejtësisht në Hagë. Sipas Ramës, procesi ndaj tyre është i parregullt.

“Ku janë sot përfaqësuesit e UÇK-së? Pa Hashim Thaçin e shokët e tij, që udhëtuan bashkë me Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosen e të tjerët, për të takuar historinë e re të shqiptarëve këtej bjeshkëve, nuk e dimë se çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës në fillim të këtij shekulli. Por, e sotmja do t’i ngjante më shumë të shkuarës sesa të ardhmes pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa në krye Hashim Thaçin”, u shpreh Rama.

“Por, sot që jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall Pavarësia e Kosovës, Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi vazhdojnë të mbahen peng prej gati 5 vjetësh në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare e cila në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës. Unë nuk e kam diskutuar kurrë të drejtën e asaj Gjykate Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, por ka një dyshim shumë të madh se ai proces është proces i parregullt ligjor dhe se normat e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë farë gjykate. Unë nuk rri dot pa ua thënë çudinë time se në këtë sallë nuk është marrë asnjë nismë për t’i kërkuar përmes një rezolute ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me shqetësimet mbi standardet e asaj gjykate. Ndoshta ky shqetësim mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron kjo është gjëmë e madhe për ata 4 persona dhe për integritetin e drejtësisë ndërkombëtare. Nuk mund të lejohet që ajo gjëmë, nëse është gjëmë, ta bëjë dëmin e vet", tha Rama.

Sipas tij, “nëse Kuvendi do e merrte nismën për t’u drejtuar shteteve financuese dhe për të ndarë dyshimin e arsyeshëm për këtë proces dhe nëse do të na kërkohej edhe ne, Partia Socialiste do të angazhohej që të njëjtën rezolutë të miratuar nga Kosova, ta miratonim në Shqipëri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë