Bota

Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz shpallet i pafajshëm nga akuzat për dëshmi të rreme

Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Vjenës, liroi të hënën nga akuzat ish-kancelarin austriak Sebastian Kurz, i cili u dënua në Shkallë të Parë me tetë muaj burg me një dënim me kusht për dëshmi të rreme në vitin 2024.

Dënimi kishte të bënte me deklaratat që ai bëri gjatë një hetimi parlamentar për një skandal korrupsioni në të cilin ai ishte i implikuar dhe që kishte të bënte me një ngjarje mes viteve 2017-2019, kur përveç se drejtonte vendin si kancelar, ishte dhe lideri i partisë së qendrës së djathtë ÖVP.

Kurz u akuzua se gënjeu për rolin e tij në riorganizimin e një fondi të madh të investimeve shtetërore dhe emërimin e drejtuesve të tij.

Kurz gjithmonë ka mohuar të ketë marrë vetë këto vendime dhe ka pohuar se ishte i përfshirë në këtë rast në masën që ai thjesht ishte informuar për të.

Në kohën e ngjarjeve, Kurz ishte kreu më i ri i qeverisë në botë, si dhe një nga figurat më të spikatura të së djathtës evropiane. Për shkak të skandalit, megjithatë, ai u largua nga politika në vitin 2021.

Sot ai është 38 vjeç dhe mbetet nën hetim për një tjetër çështje, ku akuzohet se ka përdorur në mënyrë të paligjshme fondet e Ministrisë së Financave për të manipuluar sondazhet në favor të partisë së tij dhe për të lehtësuar publikimin e lajmeve që do ta vinte në dritë të mirë në gazetat austriake.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë