Ish-drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili është paraqitur sërish sot në SPAK.
Edhe më herët, ai është pyetur si person në dijeni në lidhje me tentativën e bërë nga disa persona për të hakeruar kompjuterat e prokurorëve të posaçëm. Ish-funksionari i burgjeve është në hetim nga SPAK për tre vepra penale, përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, kryerje e veprimeve në kuadër të grupit kriminal dhe grup kriminal.
Emri i Ismailit del në sulmin kibernetik që iu bë SPAK në mars të këtij viti, për të cilin ranë në pranga dy persona, ish-punonjësi i IMT, Arnold Rrokaj dhe ish-zyrtari i burgut Vlorë, Zambak Gjonaj.
Hakerët tentuan të merrnin informacione nga kompjuterët e 3 prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, por sipas Prokurorisë, nuk arritën që të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT-së.
Të dy këta persona i kanë shpërndarë dokumentet që kanë arritur të marrin në persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë dy gazetarë, ish-kreu i burgjeve, Agim Ismaili, si dhe Dritan Palikaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.
Sipas SPAK, ai dhe ish-punonjësi i IMT, Arnold Rrokaj, tentuan gjithashtu të hyjnë në email-in e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, por pa sukses.
Ngjarja ndodhi më 12 mars dhe arrestimet u kryen brenda 24 orësh. Pajisjet dhe skedarët e përdorur për ndërhyrjen u sekuestruan nga autoritetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




