Ka ndodhur

Ish-deputeti Luçiano Boçi konfliktohet me biznesmenin: Sulm për motive politike

Ish-deputeti dhe kandidati i Partisë Demokratike për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, Luçiano Boçi, është përfshirë në një konflikt fizik me biznesmenin Gjergj Luca.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në një lokal në Labinot, aty ku Luca ka disa biznese.

Boçi ka dhënë një deklaratë për mediat pas përplasjes fizike.

“Një agresion, nuk është as Zoti dhe s’mund t’i them as oligark, se janë plehra të Ramës që ai i ndërsen. Ky agresion është për motive politike. Dilja nga një takim për të biseduar. Në dalje ky vjen dhe më sulmon dhe tenton të më godasë, pastaj agravon situata deri në kërcënim për jetën”, thotë Boçi.

Demokrati shtoi më tej se të majtët janë të frikësuar për humbjen në 25 prill.

“Janë kaq shumë në panik të majtët, kaq të frikësuar sa përdorin mjete të tilla kaq anti-politike. Rama, plehrat e tij, duhet të gjejnë një mënyrë tjetër për humbjen e madhe që i pret. Përgjigjen më të madhe do e marrin në datë 25 prill kundër këtij regjimi dhe kundër kësaj kaste”, – vijoi ai.

Sipas demokratit, “Shqipëria nuk është vend i banditëve, por qytetarëve. Kam bërë hapat e parë ligjor, është në përgjegjësinë e prokurorisë të vazhdojë hapat e tjerë. Luca ka histori të pasur përplasjesh me njerëzit në Labinot. Nuk i ka hyrë gjë në këmbë se i duket vetja trim. Këta trima pas datës 25 prill do të jenë ata frikacakët që do t’u luten njerëzve për mëshirë”.

Boçi, në fund pohoi se Luca “ishte i shoqëruar, bënte edhe tentativa me demek se ishte i armatosur. Është pjesë e bandës  së Edi Ramës. E tregoi veten sot që është bandit”, shtoi ai.

Një incident, i cili vjen pas tensionit të krijuar fundjavën e shkuar në Elbasan Ditën e Verës, ku militantë të PD dhe PS u konfliktuan me njëri-tjetrin gjatë aktivitetit në të njëjtën orë të kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës, Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë