Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për "korrupsion aktiv në zgjedhje", "përkrahje të autorit të krimit" dhe "tregtim të sekretit shtetëror". E njëjta masë sigurie u konfirmua edhe për Ahmet Mashën, i dyshuar si bashkëpunëtor i tij.
Gjatë seancës që u zhvillua këtë të martë, avokatët e Çyrbjes kërkuan kohë që të njihen me dosjen. Ata pretenduan se klienti i tyre nuk e ka përdorur asnjëherë aplikacionin Sky ECC. Nga ana tjetër, vetë Çyrbja nuk ka dhënë asnjë shpjegim para togave të zeza.
LEXO EDHE:
- Arrestimi i Çyrbes / Berisha: Rama të japë dorëheqjen! Të dhënat e Sky ECC janë më kriminale për Taulant Ballën
- Nga Lita e Zarka te Jurgis Çyrbja / Pas gjyqësorit dhe policisë, ‘Sky ECC’ godet për herë të parë dhe një deputet
- SPAK publikon akuzat: Jurgis Çyrbja njoftonte Altin Hajrin që t'i shpëtonte arrestimit, bosi i Shijakut i siguronte votat për deputet. Zbuloi sekrete shtetërore për botën e krimit
Bisedat në “Sky Ecc” kanë tradhtuar deputetin socialist Jurgis Çyrbja. SPAK e akuzon se si deputet arrinte të merrte informacion për kontrollet për arrestimin e Altin Hajrit dhe më tej e informonte edhe personalisht.
Në këmbim të kësaj i shumëkërkuari për vepra të rënda kriminale e ndihmoi për të marrë vota në qarkun e Durrësit.
Një tjetër akuzë ndaj tij është edhe nxjerrja e sekretit hetimor. Për këtë, ai ka bashkëpunuar me Ahmet Mashën. Ata kanë dekonspiruar të paktën 7 operacione te policisë për arrestimin e disa të kërkuarve.
Qëndrimi në Komisionin e Sigurisë si anëtar zëvendësues në parlament, Jurgis Çyrbes i ka shërbyer për të marrë informacion mbi dosjen e Altin Hajrit.
Në deklaratën zyrtare të SPAK-ut thuhet se gjithçka është zbuluar nga bisedat në “Sky”, ku rezulton se deputeti i Partisë Socialiste i dërgonte personalisht të dhënat të shpallurit në kërkim ndërkombëtar dhe me precedentë të rëndë kriminal, apo duke përdorur dhe Ahmet Mashën për t’i komunikuar mbi shpalljen në kërkim apo dhe operacionet që policia zhvillonte në Durrës.
Janë 7 raste që SPAK thotë se ka evidentuar për shkeljet e bëra. Madje në njoftim shtohet se ai ka ndërhyrë edhe në organet ligjzbatuese me qëllim favorizimin e Hajrit, person që në vitin 2015 u kërkua nga drejtësia italiane dhe në 2020 në Shqipëri për vrasjen e Jan Prengës.
Në këmbim të këtyre ndereve Hajri angazhohej për t'i siguruar vota Çyrbes në mënyrë që ai të zgjidhej deputet në parlament.
Ish-deputeti socialist u arrestua të dielën në Durrës, pak ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e mbante që nga viti 2017.
“Ka rezultuar se personi nën hetim J. Ç., në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka pasur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim A. H., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, - njoftoi SPAK për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.