Drejtësia

Ish-deputeti i PS, Arben Çuko në SPAK për ’21 Janarin’: Janë vrarë 4 veta dhe s’mund të lihet në harresë

Gazeta Si - Ish-deputeti socialist Arben Çuko është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme lidhur me dosjen "21 Janari".

I pyetur nga prokurorët specialë, Çuko ka dhënë shpjegime për ngjarjet e ndodhura gjatë protestës para kryeministrisë të organizuar nga PS-ja në atë kohë në opozitë, që përfundoi me vrasjen e 4 protestuesve në bulevard.

Në përfundim të seancës, Çuko sqaroi se ai ishte thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen.

“Në cilësinë e atij që ka pasur dijeni. Janë vrarë 4 veta ju e dini shumë mirë. Janë 4 veta të vrarë në Bulevard që nuk mund të lihen kaq kollaj në harresë”, tha Çuko për mediat.

Pak ditë më parë për çështjen e "21 janarit" u paraqit në SPAK edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u pyet si person në dijeni për rrethanat e protestës.

Javën e shkuar për këtë çështje, u thirr edhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, ndërsa para tij kanë dëshmuar në SPAK ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, ish-kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe ish-zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj.

SPAK ka nisur veprimet hetimore në lidhje me këtë çështje pasi Gjykata e Lartë i vendosi kompetencën. Një nga detyrat që i ka lënë gjykata është të pyesë të gjithë organizatorët e kësaj proteste si dhe gjithë zyrtarët që kanë pasur detyrë menaxhimin e protestës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë